PSD-ja: Partitë opozitare pa ne nuk mund ta rrëzojnë qeverinë

Aktuale October 17, 2018 - 16:28
DETAJET

Partia Socialdemokrate ka akuzuar partitë opozitare por mos bashkimin e tyre për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”. Këtë qëndrim të PSD-së e ka paraqitur përmes një postimi në “Facebook”, zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, raporton “Zëri.info”.

“Kuvendi nuk është i qeverisë, por i deputetëve të zgjedhur. Partia Socialdemokrate e ka subjektivitetin e vet dhe nuk i nënshtrohet dëshirave të asnjë subjekti tjetër politik. Jemi të vetmit që kemi dhënë nënshkrimet për rrëzimin e qeverisë. Qeveria nuk bjen në mungesë kuorumi. Ajo mund të rrëzohet nga opozita, vetëm si e bashkuar”, thuhet në reagim.

Sipas këtij reagimi për bashkimin e opozitës përgjegjës janë grupet më të mëdha parlamentare.

LEXO EDHE: Osmani - Goranit: Ne nuk mund ta kapim kallashin dhe ta vrasim dikënd

“Bashkimi i opozitës për veprimet edhe në kuvend është para së gjithash përgjegjësi e grupeve më të mëdha parlamentare. Ne jemi të gatshëm dhe të interesuar të ulemi dhe ta bëjmë strategjinë e përbashkët për rrëzimin e qeverisë me të gjitha partitë opozitare. Por, nuk jemi të interesuar për t’i shërbyer diskurseve populiste dhe agjendave të partive të tjera politike”, thuhet tutje.

Lidhur me rrëzimin e qeverisë, PSD-ja ka deklaruar se shanset për rrëzimin e saj pa viotat e PSD-së janë zero.

“Subjektet e tjera opozitare nuk po e bojkotojnë kuvendin, por disa seanca plenare, sidomos ato më mediatike. Ata po marrin pjesë edhe në punën e komisioneve parlamentare. Kjo dëshmon se veprimi opozitar pa strategji të përbashkët dhe pa bashkërendim është joserioz dhe për poena të lirë politik. Është edhe kundërproduktiv dhe manipulues, meqë dihet se gjasat që qeveria të rrëzohet nga subjektet opozitare pa Partinë Socialdemokrate janë pothuajse zero”, përfundon reagimi. /ZËRI