Aktuale

"PSD-ja mund të bëhet pjesë e Qeverisë"

17 tetor 2018 • 10 : 40

Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Partia Socialdemokrate (PSD) ia pati ofruar muaj më parë nënshkrimet e dymbëdhjetë deputetëve të saj partive opozitare për ta rrëzuar qeverinë “Haradinaj” nëpërmjet mocionit të votëbesimit. Mirëpo në seancën e së hënës (pardje) të Kuvendit deputetët e partisë së Shpend Ahmetit qëndruan në sallë, duke ua bërë kuorumin koalicionit qeverisës, derisa dy partitë e tjera opozitare (LDK-ja dhe LVV-ja) kishin lëshuar sallën, shkruan "Zëri". 

Deputetja e PSD-së, Besa Baftiu, thotë për “Zërin” se vendimi i dy partive të tjera opozitare për ta lëshuar sallën e Kuvendit të hënën që lamë pas ishte i paarsyeshëm, prandaj, siç thotë ajo, deputetët e PSD-së qëndruan në sallë.

Në anën tjetër, analisti politik Ramush Tahiri thotë për “Zërin” se nëse partia e Shpend Ahmetit vazhdon t’ua bëjë kuorumin partive në pushtet, atëherë mund të bëhen pjesë e Qeverisë.

“Është fakt që me qëndrimin në sallë PSD-ja ia ka siguruar votat pushtetit dhe nëse vazhdojnë kështu do të hyjnë edhe në koalicion qeverisës, pasi që nëse nuk mundësohet kuromi, atëherë bllokohet Parlamenti dhe faktori i brendshëm dhe ai ndërkombëtar do të pajtohej që vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Kjo është shumë e qartë dhe tash ky është një kalkulim i qartë për këtë gjë të cilën e llogarit Partia Socialdemokrate”, ka theksuar Tahiri.

Ndërkohë, sipas Tahirit, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të pashmangshme pasi që, siç thotë ai, vendi ka hyrë në një bllokadë institucionale.
 

© zëri.info