Shpendi po lëviz kah Qeveria

Aktuale October 17, 2018 - 07:53
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Partia Socialdemokrate, të cilën e udhëheq Shpend Ahmeti, ia pati ofruar opozitës nënshkrimet e deputetëve të saj për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”. Por, në seancën e së hënës pikërisht deputetët socialdemokratë ia bënë kuorumin koalicionit qeverisës. Analistët politikë vlerësojnë se këto veprime mund t'i paraprijnë hyrjes së kësaj partie në Qeveri, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Partia Socialdemokrate (PSD) ia pati ofruar muaj më parë nënshkrimet e dymbëdhjetë deputetëve të saj partive opozitare për ta rrëzuar qeverinë “Haradinaj” nëpërmjet mocionit të votëbesimit.

LEXO EDHE: Ministrat sezonalë

Mirëpo në seancën e së hënës (pardje) të Kuvendit deputetët e partisë së Shpend Ahmetit qëndruan në sallë, duke ua bërë kuorumin koalicionit qeverisës, derisa dy partitë e tjera opozitare (LDK-ja dhe LVV-ja) kishin lëshuar sallën.

Deputetja e PSD-së, Besa Baftiu, thotë për “Zërin” se vendimi i dy partive të tjera opozitare për ta lëshuar sallën e Kuvendit të hënën që lamë pas ishte i paarsyeshëm, prandaj, siç thotë ajo, deputetët e PSD-së qëndruan në sallë.

“Për ne janë të paarsyeshme dhe të paqëndrueshme vendimet që i morën LDK-ja dhe LVV-ja për ta braktisur sallën e Kuvendit të hënën. Është më mirë që ne të marrim pjesë në seanca, të diskutojmë dhe të votojmë ligje, sepse për atë qëllim jemi votuar nga qytetarët dhe të mos shkojmë ta shikojmë seancën nga shtëpia në televizor”, thotë Baftiu.

Vendimin e LDK-së dhe të LVV-së për bojkotimin e seancës së së hënës Baftiu e ka vlerësuar si hipokrizi.

“Po më duket që bojkotimi i seancës nga dy partitë e tjera opozitare është një hipokrizi që janë duke e bërë, në disa raste vijnë në Kuvend e në disa nuk vijnë, por prapëseprapë është qëndrim i këtyre subjekteve i cili nuk do të marrë mbështetjen tonë”, ka theksuar ajo.

LDK-ja dhe LVV-ja po koordinohen për zgjedhje të parakohshme

Në anën tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Naser Rugova ka thënë për “Zërin” që përderisa janë në negociata me subjektet opozitare për zgjedhje të parakohshme parlamentare çdo pjesëmarrje e këtyre partive në Kuvend është “autogol” për ta.

“Ne jemi në koordinim me LVV-në, por jemi duke biseduar edhe me PSD-në dhe me akterë të tjerë që këtë Qeveri që e ka degraduar vendin ta dërgojmë në shtëpi. Prandaj çdo pjesëmarrje e një subjekti opozitar në punimet e seancës së partnerëve të koalicionit qeverisës në një formë është “autogol” për ta dhe qytetari sigurisht që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat do të jenë shumë shpejt, do ta thotë fjalën e vet”, ka thënë ai.

Ai më tutje ka thënë që LDK-ja është duke punuar që t’ia pamundësojë funksionimin koalicionit qeverisës, duke mos dhënë votën e tyre në Kuvend.

“Ne si LDK jemi duke tentuar t’i koordinojmë dhe bashkërendojmë veprimet politike në funksion të krijimit të një boshti opozitar serioz dhe me këtë t’ia pamundësojmë qeverisjes të procedojë marrëveshje, projektligje etj... në Kuvend, sepse e pamë edhe në seancën e së hënës se po të mos ishte PSD-ja këta partnerë të koalicionit do ta kishin humbur shumicën dhe legjitimitetin”, ka thënë ai.

Kurse Fatmire Kollqaku, nga Lëvizja Vetëvendosje, duke mos e komentuar pjesëmarrjen e Partisë Socialdemokrate në seancën e së hënës ka thënë që secila parti duhet të jetë konsekuente për vendimet e veta.

“Kjo Qeveri nuk e ka më shumicën, prandaj është mirë që secila parti opozitare ta mendojë mirë çdo veprim për të mos ia zgjatur jetën kësaj Qeverie, sepse që nga fillimi nuk e ka pasur shumicën parlamentare dhe kësisoj nuk po arrin që të shtyjë para asnjë çështje të rëndësishme për vendin”, ka theksuar ajo.

Më tutje Kollqaku ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë të koordinuara me njëra-tjetrën se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
 

Tahiri: PSD-ja mund të bëhet pjesë e Qeverisë

Në anën tjetër, analisti politik Ramush Tahiri thotë për “Zërin” se nëse partia e Shpend Ahmetit vazhdon t’ua bëjë kuorumin partive në pushtet, atëherë mund të bëhen pjesë e Qeverisë.

“Është fakt që me qëndrimin në sallë PSD-ja ia ka siguruar votat pushtetit dhe nëse vazhdojnë kështu do të hyjnë edhe në koalicion qeverisës, pasi që nëse nuk mundësohet kuromi, atëherë bllokohet Parlamenti dhe faktori i brendshëm dhe ai ndërkombëtar do të pajtohej që vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Kjo është shumë e qartë dhe tash ky është një kalkulim i qartë për këtë gjë të cilën e llogarit Partia Socialdemokrate”, ka theksuar Tahiri.

Ndërkohë, sipas Tahirit, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të pashmangshme pasi që, siç thotë ai, vendi ka hyrë në një bllokadë institucionale.