Ministrat sezonalë

Aktuale October 17, 2018 - 07:46
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Për një vit janë ndërruar tre ministra të Brendshëm në Qeverinë e Kosovës. Ndërrimi i shpeshtë i ministrave, që drejtojnë dikasterin më të ndjeshëm në ekzekutiv, vlerësohet si joseriozitet i koalicionit qeverisës. Ministri i saposhkarkuar, Bejtush Gashi, ishte në këtë funksion vetëm nga fillimi i pranverës e deri në fillimin e vjeshtës, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Vetëm brenda një viti Qeveria aktuale e Kosovës ka eksperimentuar tri herë me pozitën e udhëheqësit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB). Ministri i parë që vinte nga AKR-ja në këtë dikaster, Flamur Sefaj, ishte shkarkuar në fundmars të këtij viti, rrjedhimisht gjashtë muaj pasi ishte vendosur në krye të detyrës.

Dy javë pas kësaj kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, kishte marrë vendim që në krye të MPB-së ta sillte Bejtush Gashin, ministrin tashmë të shkarkuar.

Edhe Gashi sikurse Sefaj timonin e MPB-së e kishin mbajtur jo më shumë se gjashtë muaj.

Ndërkohë, tash së fundmi lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka vendosur ta jetësojë përfundimisht kërkesën e deputetit të tij, Labinot Tahiri, që ta emërojë për herë të parë një ministër i cili vjen nga qyteti i Ferizajt.

Kështu kreu i AKR-së si ministër të Punëve të Brendshme tashmë ka emëruar Ekrem Mustafën, i cili vjen pikërisht nga ky qytet.

Njohësit e çështjeve politike dhe përfaqësuesit opozitarë konsiderojnë se ky veprim i Qeverisë, i ARK-së në veçanti, është totalisht joserioz. Por pavarësisht kësaj, zyrtarët e këtij subjekti thonë se vendimet e tilla janë marrë për të mirën e vendit dhe të qytetarëve të Kosovës.  

Liria e partive për t’i emëruar dhe për t’i shkarkuar ministrat

Teksa ka komentuar shkarkimin e ministrit të MPB-së, Bejtush Gashi, dhe emërimin e ministrit të ri të këtij dikasteri, Ekrem Mustafa, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se emërimi dhe shkarkimi i ministrave bëhet nga partitë përkatëse të koalicionit qeverisës.

“Lirimi prej detyre i ministrit Gashi dhe propozimi për emërimin e ministrit të ri vjen nga partia e Pacollit. Sido që të jetë mendoj se nuk është ndonjë tronditje në proces të liberalizimit. Propozimet, kandidaturat vijnë nga partitë. Unë mund ta refuzoj ndonjë kandidaturë nëse ka ndonjë të metë të madhe, por propozimet vijnë nga partitë”, ka deklaruar ai.

Sipas Haradinajt, ardhja e ministrit të ri Ekrem Mustafës mund të ndikojë për të mirë në dikasterin e Punëve të Brendshme.  

Lirinë për t’i emëruar dhe për t’i shkarkuar “kokë më vete” ministrat që vijnë nga subjektet e tyre partitë e koalicionit qeverisës e kishin fituar pas marrëveshjes paszgjedhore që këto parti kishin bërë mes vete. 

Ulja e efikasitetit të MPB-së

Porse Rexhep Selimi, anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme, njëherësh deputet i LVV-së, ka thënë se qeveria “Haradinaj” me veprimet e fundit ia ka ulur efikasitetin MPB-së deri në pikën e fundit.

“Qeveria ‘Haradinaj’, por edhe partia e cila mban Ministrinë e Punëve të Brendshme nën kontrollin e saj, ia kanë ulur efikasitetin kësaj Ministrie në zero. Duke i ndërruar kaq shpesh ministrat i bie që ne nuk kemi fare ministër të Punëve të Brendshme”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Selimi më tej ka thënë se MPB-ja do të duhej të ishte prijësja e ndryshimeve pozitive dhe e ruajtjes së sigurisë në vend.

“Ministria e Punëve të Brendshme do të duhej të ishte avangarde edhe e ndryshimeve pozitive, edhe e reformave në fushën e sigurisë. Por sot MPB-ja është kthyer në një pistë të aterrimit të ministrave”, ka shtuar ai.

Shkarkimet e fundit në MPB dhe nëpër ministritë e tjera sipas Selimit lënë të kuptohet se shefi i ekzekutivit Ramush Haradinaj nuk është kryeministër i askujt.

“Këto lëvizje nuk kanë qenë me vullnetin e as me vendimin e kryeministrit, por me vullnetin dhe me vendimin e partive politike që janë pjesë e koalicionit. Prandaj duke e ditur që vendosin për emërime dhe për shkarkime subjektet politike, atëherë i bie që Haradinaj mbetet kryeministër i askujt, sepse në rastin konkret Pacolli i emëron dhe i shkarkon ministrat e Haradinajt sa herë që do dhe varësisht nga disponimi i familjes Pacolli”, ka theksuar ai.  

AKR: Vendimet rreth MPB-së, për të mirën e vendit

Pavarësisht kësaj, sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, ka thënë se vendimet e fundit të AKR-së janë marrë për të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Ne edhe kur e kemi marrë këtë Ministri e kemi ditur që është Ministria me më së shumti probleme. Ne si parti mundohemi çdoherë të jemi sa më afër qytetarit me shërbimet tona dhe me dikasteret që ne mbulojmë. Mundohemi çdoherë ta japim më të mirën. Në kontekst të kësaj është bërë edhe kjo që është bërë tash”, ka deklaruar ai.

Sipas Makollit, të tilla vendime nuk mund të merren për interesa individuale.

“Po mendojmë për të mirën e Qeverisë, për të mirën e shtetit. Prandaj nuk ka diçka këtu që dikush mund ta vendosë në interes individual, por është menduar që është personi më i përshtatshëm, i cili mund t’i shtyjë proceset më mirë”, ka shtuar ai teksa ka folur për emërimin e ministrit të ri, Ekrem Mustafa.

Ndërrimi i ministrave, për arsye totalisht të pabesueshme

Në anën tjetër njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, ka konsideruar se qasja e AKR-së për të eksperimentuar me udhëheqësit e MPB-së dhe me dikasteret e tjera qeveritare nuk është aspak serioze.

“Po duket që këto ndërrime po bëhen më shumë për të përmbushur ego, apetite personale të njerëzve sesa vërtet ka nevojë. Kjo na tregon që qasja e AKR-së në këtë rast është totalisht joserioze sa i përket një dikasteri shumë të rëndësishëm siç është Ministria e Punëve të Brendshme”, ka deklaruar ai.

Sipas Mushkolajt, ndërrimet e ministrave do të duhej të realizoheshin në formë të arsyeshme e jo kështu siç po ndodhin aktualisht.

“Të krijohet përshtypja se AKR-ja ka ndërmend që secilit prej personave të rëndësishëm t’ua japë shansin ta shijojnë për pak postin e ministrit nëpër ministritë që ka. Kjo fatkeqësisht nuk do të duhej të ishte kështu. Ndërrimet do të duhej të ishin parimore, të arsyetuara shumë mirë, jo thjesht për arsye që janë totalisht jo të besueshme e veçmas me arsyetime që x qyteti në Kosovë nuk paska një ministër”, ka potencuar ai.