Projektligji për referendumin përplasë deputetët e VV-së dhe PSD-së

Aktuale October 16, 2018 - 16:44
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Projektligji për referendumin ka përplasur dy ish partiakët, Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes dhe Frashër Krasniqi ng PSD-ja.

Kjo përplasje e tyre ka ardhur pasi që VV e akuzon PSD-në se e kanë dorëzuar në Kuvend projektligjin e tyre për referendumin.

Kritika rreth projektligjit kanë pasur edhe anëtarët e tjerë të komisionit për Legjislacion, megjithatë në fund projektligji ka kaluar duke marrë 7 vota pro, një abstenim, kurse deputeti i Listës Serbe Igor Simiq nuk ka marrë pjesë në votim.

Ishte kryetarja e komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, e cila pati shumë kritika rreth projektligjit, duke thënë se ka shumë gabime. Madje, ajo tha se disa çështje teknike janë ashtu siç i kanë lënë kur kanë qenë në Vetëvendosje.

Haxhiu: Ky ka qenë një draft fillestar që i është shpërndarë aktivistëve

“Ky ka qenë një draft që ne në atë kohë ia patëm shpërndarë aktivistëve për të dhënë vërejtjet dhe komentet, pra është draft fillestar dhe për ta dëshmuar që përmban çështje problematike, ka shumë. Nëse hyni në faqe të Kuvendi tek ky projektligj i shihni se çështjet që ne i kemi konsideruar se janë problematike janë në bold ngjyrë të kuqe dhe ky grup kur e ka proceduar as ato nuk i ka larguar, e lëre më të tjerat”, tha ajo.

Në projektligj sipas Haxhiut ka shumë probleme dhe ato sipas saj janë përmbajtjesore. Përkundër kësaj ajo shprehet se referendumi është shumë i nevojshëm për Kosovën.

Menjëherë ka reaguar deputeti i PSD-së Frashër Krasniqi, duke thënë se problematike për VV-në është çdo veprim pozitiv e që nuk është pronare e saj kjo lëvizje.

Ai u shpreh se pajtohet që ka shumë gabime në projektligj, por sipas tij e rëndësishme është që ky ligj të bëhet.

Ndërsa, ka thënë se edhe në kohën kur kanë qenë në VV, këtë projektligj e kanë bërë një grup ekspertësh në bashkëpunim me deputetët tashmë të PSD-së Faton Topalli dhe Shqipe Pantina.

Krasniqi: Ky draft nuk është bërë as nga VV fare

“Nuk është korrekte me e bë një deklaratë të tillë, kur edhe ti e din qashtu siç e di edhe unë që faktikisht ky draft nuk është bërë as nga VV fare. Ky projektligj është bërë prej një grupi ekspertësh të cilët kanë vendosur me mbet anonimë dhe kanë kërkuar me u bë ligji për referendum dhe është bërë në koordinim me Faton Topallin dhe në kontakt të vazhdueshëm me Faton Topallin. Dhe është përkthyer nga Shqipe Pantina, pra janë dy deputetë të cilët e kanë shtyrë më së shumti edhe brenda Lëvizjes Vetëvendosje… Unë jam i sigurt që sot me dal PSD me thënë ne po e bëjmë bashkimin kombëtar VV ka me thënë ne jemi kundër bashkimit kombëtar. Unë jam duke thënë që mos u kapni për atë se kush po e inicion një çështje, sepse nuk bëhet politika për të mirën e vendit kështu. Nuk jam duke dashur me e dëmtua, a je ti për me e dërgua në referendum, a je ti kundër që populli i Kosovës me vendos me refe rendum, more le ti me e korrigjua, nuk jam duke folur për këtë. A ka thënë VV tash e 13 vjet që për çdo çështje që lidhet me Republikën e Kosovës duhet me vendos populli i Kosovës përmes referendumit”, tha ai.

Përsëri ka reaguar kryetarja e komisionit të VV-së Albulena Haxhiu, duke thënë se deputeti Faton Topalli nuk e ka shkruar asnjë rresht në atë projektligj.

Haxhiu: Asnjë shkronjë të vetme nuk e ka shkruar në këtë projektligj Faton Topalli

“Ne do të ishim ndjerë mirë nëse të paktën do të na kishit konsultuar ose i kishit eliminuar këto probleme që janë përnjëmend janë probleme të mëdha dhe në anën tjetër e shpërfaqeni atë qasjen jo serioze karshi këtij projektligji. Tash a është ideja me e dëmtua të drejtën për referendum a me e bë mirë, për shkak se nëse e bëjmë shkel e shko atëherë ne nuk jemi me i ndihma as Kosovës e as qytetarëve. Tjetra, po ta garantoj asnjë shkronjë të vetme nuk e ka shkruar në këtë projektligj Faton Topalli, asnjë hiç”, tha ajo.

Përplasja mes tyre ka vazhduar edhe më tej, ku deputeti i PSD-së Frashër Krasniqi ka thënë se e shkruan në histori që këtë projektligj e ka bërë VV vetëm që ligji të bëhet. Ndërsa, deputetja e VV-së Albulena Haxhiu iu ka drejtuar duke thënë t’i lerë lojërat dhe akuzat e pabaza.

Frashëri-Albulena: E shkruajmë në histori që e ka bë VV, vetëm të bëhet ligji

“E shkruajmë në histori se për juve është e rëndësishme që VV e ka pru, veç le të bëhet ligji. Lëreni lojërat dhe akuzat e pabaza Frashër, keni heq dorë prej të gjitha çështjeve të cilat më parë i keni përfaqësuar. Nuk është tash temë PSD as heqja dorë, jemi duke folur për ligjin për referendumin, kurrfarë inati, ti e nise këtë temë, kurrfarë inati në këtë rast. Do të behet në komision, mund ta bëjmë siç duhet. Grupi punues i komisionit në leximin e dytë të komisionit mund të bëhet siç duhet edhe ai nëse në fazën e parë nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme”, ka vazhduar përplasja mes tyre.

Në këtë përplasje në mes të dy ish partiakëve ka reaguar deputeti i VV-së Sami Kurteshi, duke thënë se krejt fajet i ka SHIK-u. Ndërsa, për projektligjin ai ka thënë se ka shumë probleme.

Kurteshi: Ligji kërkon shumë ndryshime

“Krejt fajet i ka SHIK-u, u krye puna. E dëgjuam atë pjesën dhe unë i kam të gjitha variantet ku kemi punuar, nuk është me rëndësi kush ka punuar dhe në parim një ligj për referendumin është i domosdoshëm. Nuk po dua të merrem me emra se nuk ka kurrfarë çështje, problemi është se teksti si i tillë qysh është dorëzuar ka mangësi shumë të mëdha sa mundet me qenë që kërkon një ndryshim shumë të madh që është mbi atë përqindje që mandej thuhet është ligj i ri. Ky është problemi”, tha ai.

Përmendja e SHIK-ut nga deputeti i VV-së Sami Kurteshi, ka bërë që deputeti i PDK-së Hajdar Beqa të thotë se edhe ai kur është bërë Avokat i Popullit është folur se e ka bërë SHIK-u.

Beqa: Po më vjen mirë që SHIK-u po është faktor edhe pas mbylljes së aktiviteteve

“Po lëshohemi ndoshta në debat edhe për çështje individuale Shqipja, Albulena, Topalli, kjo nuk është shumë relevante për ligjin, se ligji më nuk është as për PSD as për VV, por është për krejt Kosovën. Në të njëjtën kohë edhe Samia tha SHIK-u, SHIK-un po e përmend interesant Samia shpeshherë, po SHIK-u u përmend gjithë, edhe kur është krijuar VV disa thoshin e ka bë SHIK-u edhe kur u bë Samia Avokat i Popullit thoshin e ka bë SHIK-u, edhe kur u shpërbë apo kur u nda VV me PSD prapë thoshin e ka bë SHIK-u, po më vjen mirë që SHIK-u po është faktor edhe pas mbylljes së aktiviteteve”, tha Beqa.

Ndërsa, sa i përket projektligjit ai ka propozuar që nëse heq dorë propozuesi, komisioni të marrë këtë nismë dhe ta bëjnë të gjithë punën komisioni.

Deputeti Korab Sejdiu, ka thënë se projektligji i PSD më tepër ngjan me një dokument të grupit punës sesa një projektligj. Ai ka abstenuar gjatë votimit për këtë projektligj duke thënë se ka shumë gabime.

Sejdiu: PSD me marrë një grup punës që e harton një version më të mirë

“Do të kisha pasur dëshirë me pa ose PSD me e tërheq këtë projektligj me marrë një grup punues i cili e harton një version më të mirë dhe pastaj me e propozua sërish, ose nëse veç insistohet prej komisionit që ky projektligj me u shty përpara, që e kuptoj tërësisht nevojën për këtë ligj dhe nevojën për me shty përpara. Atëherë të sigurohemi që të kemi mbështetje të mjaftueshme jo vetëm të brendshme por nga ekspert të jashtëm të cilët do të vijnë dhe do të na ndihmojnë”, tha Sejdiu.

Në këtë mbledhje të komisionit është diskutuar edhe raporti i Avokatit të Popullit në lidhje me organizimin e votimit jashtë vendit për zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Avokati i Popullit Hilmi Jashari ka paraqitur rekomandimet e Institucionit të Avokatit të Popullit, për këto rekomandime komisioni ka marrë vendim që të formojë një grup punës që të bëjë plotësim ndryshimin e ligjit për zgjedhje sipas atyre rekomandimeve të Avokatit të Popullit.

Po ashtu, në këtë mbledhje është shqyrtuar edhe raporti me amendamente i Komisionit Funksional për Projektligjin për Produkte të Ndërtimit.