Bojkotimi i seancave rrezikon Kuvendin

Aktuale October 16, 2018 - 16:46

Bojkotimi i seancave të rregullta të Kuvendit, po e fut këtë institucion në krizë edhe më të thellë.

Organizatat që merren me monitorimin e punës së Kuvendit, konsiderojnë se koalicioni qeverisës duhet të arrijë marrëveshje me ndonjë nga grupet parlamentare që janë në opozitë, në mënyrë që të bëhet kuorumi për vendimmarrje. Në të kundërtën, Kuvendi mund të mbetet i bllokuar.

Mospjesëmarrja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes në seancat e rregullta, po bënë që Kuvendi të mos ketë kuorum as për fillimin e seancës plenare.

Kjo ndodhi edhe në mbledhjen e fundit ku kryeparlamentari Kadri Veseli iu desh të shtyje seancën në mungesë të kuorumit për fillimin e saj.

Ndërkohë, Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë kjo që merret me monitorimin e punës së Kuvendit, thotë për Radio Kosovën se koalicioni qeverisës tashmë duhet që të hyjë në biseda me ndonjë nga subjektet që janë në opozitë.

Sipas tij, vetëm një marrëveshje e tillë mund ta shpëtojë Kuvendin nga bllokimi, meqë koalicioni qeverisës nuk po arrin as t`i fillojë seancat, e lëre më të marrë vendime.

“Sa i përket funksionimit të koalicionit qeverisës, unë nuk e di se si do të funksionojë ky koalicion pa bërë një marrëveshje me ndonjë nga grupet parlamentare që janë në opozitë. Pra, jemi duke e parë që Kuvendi mund të mbetet plotësisht i bllokuar nëse të gjitha grupet parlamentare të opozitës vendosin që të mos marrin pjesë në mbledhjet e Kuvendit”, tha Murati.

Për analistin Blerim Burjani, koalicioni qeverisës e ka humbur kredibilitetin e tij. Prandaj, ai thotë se partitë politike duhet ta gjejnë një zgjidhje, qoftë ajo edhe zgjedhje të parakohshme, dhe ta zhbllokojnë punën e institucionit më të lartë ligjvënës.

“Ky koalicion e ka humbur mjaft kredibilitetin e tij. Prandaj, duhet te gjendet një zgjidhje tjetër. Aktualisht Kosova nuk ka as Kuvend funksional, por as qeveri funksionale. Mirëpo, duhet me gjet një zgjidhje dhe ajo zgjidhje nuk vjen pa u marr vesh partitë mes veti për ta tejkaluar këtë situatë, qoftë edhe përmes zgjedhjeve të parakohshme”, Burjani.

Ndërkohë, LDK-ja dhe Vetëvendosje kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në asnjë seancë, derisa nuk procedohet për seancë kërkesa e tyre për rezolutën e opozitës për dialogun Kosovë – Serbi.