Kuvendi pa kuorum, rrezikon edhe më shumë shembjen e kullave të Jasharëve

Aktuale October 16, 2018 - 16:40
DETAJET

I mbijetuan luftës, por po rrezikojnë të shemben pas përfundimit të saj. Kullat e Jasharajve në Prekaz të Drenicës, dita ditës po e humbin formën e tyre nga mungesa e intervenimit në to.

Gati 20 vite pas përfundimit të luftës, kullat në Prekaz të Skënderajt, të cilat konsiderohet se kanë vlerë kombëtare, po rrezikojnë të shemben, shkruan lajmi.net.

Madje, gjatë ditës së djeshme ishte në plan që në Kuvendin e Kosovës të votohej në lexim të dytë projektligji për këtë Kompleks Memorial. Në mungesë kuorumi, i njëjti nuk u shtye përpara.

Se vonesa në votimin e këtij projektligji mund të sjellë dëme të pariparueshme, po e thotë edhe Drejtori  i Agjencionit për Mbrojtjen e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj.

Ai sot tha se sa më shumë që vonohet projektligji në fjalë, aq më shumë dëme do t’i shkaktohen këtij kompleksi.

“Vonesa në votimin e këtij ligji i ka shkaktuar dëme kompleksit memorial ‘Adem Jashari’. Normalisht që deri sot i ka dëmtuar ndërkaq që nesër do të dëmtohen edhe më shumë, dhe sa më vonë dëmet do të jenë aq më të mëdhaja. Definitivisht është pritur që të votohet qysh në vitin 2017, dhe kjo ka lënë alternativë që të intervenohet edhe në ndonjë mënyrë tjetër, gjithmonë duke llogaritur se ligji do të votohet, dhe pas votimit procedurat do të ishin më të lehta që  realizohet edhe në nivelin më të lartë”, ka thënë Zogaj.

Zogaj tutje ka shtuar se buxheti i nevojshëm për realizimin e këtij projekti kap shifrën e gjashtë milionë eurove, shumë kjo që ai thotë se nuk mund të mbulohet vetëm nga buxheti i Agjencionit.

Sipas tij, është urgjente që të intervenohet në konservimin dhe restaurimin e kullave.

“Agjencioni edhe pa votimin e ligjit e ka buxhetin për kullat e Jasharajve, por ato kanë qenë mjete jo të mjaftueshme, sepse projekti që është urgjent dhe që duhet të intervenohet është konservimi dhe restaurimi i shtëpive që i kanë mbijetu kohës, dhe kostoja e gjithë kësaj është rreth gjashtë milionë. Kjo ka qenë arsyeja që Agjencioni nuk ka vepru sepse nëse fillojmë vetëm me një milion, kompanitë që do të konkurronin nuk do të ishin të nivelit që do të duhej të jenë për kryerjen e punëve. Ndryshe do të konkuronte një kompani me gjashtë milionë e ndryshe me një milion”, tha ai.

E se duhet intervenim urgjent në këtë kompleks, po e thotë edhe anëtarja e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Ganimete Musliu.

Ajo para disa ditësh përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, tha se ligji për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, duhet të votohet sa më shpejtë edhe në lexim të dytë që të shkohet më tutje në këtë proces.

Kujtojmë se në lidhje me çështjen e njëjtë, kishte pasur përplasje më herët në Komisionin për Planifikim Hapësinor, mes kryeministrit Haradinaj, dhe ish drejtorit të Agjencionit për Mbrojtjen e Komplekseve Memoriale, Idriz Blakajt.

Haradinaj kishte kërkuar llogari nga Blakaj për mjetet e ndara nga Qeveria dhe mënyrën e shfrytëzimit të tyre.