Qeveria e Kosovës krijon komision për trajtimin e ekstremizmit të dhunshëm

Aktuale October 16, 2018 - 16:34
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Qeveria e Kosovës ka krijuar një komision ndërinstitucional që ka për qëllim të ndihmojë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

“Zyra e Kryeministrit do të ofrojë përkrahje administrative për punën e Komisionit, i cili do të analizojë, rekomandojë dhe trajtojë të gjitha çështjet që ndërlidhen me ekstremizmin e dhunshëm në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Kohë më parë, Qeveria në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Kosovës dhe organizata të shoqërisë civile kishin hartuar një strategji me qëllim të luftimit të mesazheve ekstremiste por edhe deradikalizimin dhe riintegrimin e personave të radikalizuar.

Qeveria e Kosovës është pjesë e koalicionit kundër grupit militant Shteti Islamik. Në shtator të vitit të kaluar kjo Qeveri kishte ndarë 100 mijë dollarë amerikanë për këtë koalicion.

Më shumë se 300 persona nga Kosova besohet se udhëtuan në periudha të ndryshme për në Siri dhe Irak. Pjesa më e madhe e tyre ishin të përfshirë në luftime përkrah grupit militant Shteti Islamik.