Bëhet inaugurimi i rinovimit të varrezave të vjetra të Tetovës

Aktuale October 16, 2018 - 15:40
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Në një manifestim të organizuar gjatë ditës së sotme u bë inaugurimi i rinovimit të varrezave të vjetra të Tetovës.

Në këtë inaugurim të pranishëm ishin: Myftiu i Tetovës Qani ef. Nesimi, Kryetarja e Komunës znj. Teuta Arifi, donatori i projektit z. Lazim Destani, hoxhallarë, mutevelinjë të xhamive dhe një numër i madh i besimtarëve. 

Fillimisht të pranishmit i përshëndeti kryetarja e Komunës së Tetovës, znj. Arifi e cila mes tjerash potencoi: “Në këto varreza pushojnë paraardhësit tanë të cilët mes tjerash na kanë edukuar dhe mësuar që ta duam, ta respektojmë dhe ta ruajmë vendin ku jetojmë".

Në fund të fjalimit të saj Kryetarja e Komunës falënderoi  Lazim Destanin për realizimin e këtij projekti, gjithashtu falënderoi edhe Myftiun e Tetovës për bashkëpunimin në realizimin e projekteve që janë për të mirën e shoqërisë.

Ndërkaq, filantropi i njohur Lazim Destani njëkohësisht edhe donator i këtij projekti theksoi: “Pamja e varrezave të një vendi, krahas kulturës religjioze, është një nga treguesit kryesorë të nivelit kulturor dhe qytetërues të një shoqërie në përgjithësi. Prandaj, ndihem mirë që mua dhe familjes sime na u dha mundësia për të bërë një vepër të këtillë për të mirën e qytetit”ka thënë ai.

Në fund të fjalës së tij  Destaniu shpreh, “Me këtë rast dua të shpreh vlerësimin tim për mbështetjen institucionale që kryetarja e komunës znj. Teuta Arifi i ka dhënë realizimit të këtij projekti, ndërsa në mënyrë të veçantë, e çmoj angazhimin e myftiut, Qani Nesimi, i cili me kënaqësi e pranoi propozimin tim për projektin që sot ne po e promovojmë.”

Myftiu i Tetovës në fjalën e tij,pasi i përshëndeti të pranishmit,në emër të Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së MaqedonisëReis Ulema H. Sulejman ef. Rexhepit dhe në emër të tij, myftinisë dhe të hoxhallarëve, foli për rëndësinë, idenë dhe në përgjithësi mbi realizimin e këtij projekti. 

Ai mes tjerash tha: “Një ide që ushqehet nga lartë, gjegjësisht bota e shpirtit, dhe konkretizohet duke pritur të mëtejmen/ahiretin, është një ide e madhe, reale dhe e dobishme për pronarin e saj dhe për njerëzimin në përgjithësi." Myftiu Qani ef. Nesimi në vazhdim theksoi: “Njeriu që investon në varreza, mes tjerash ka dy cilësi shumë të rëndësishme, respektimin e njeriut dhe vetëdijen e tij të dhënies llogari para Zotit. Ky projekt përveç që është një rrugë e pashtershme e lutjeve të të gjithë besimtarëve, për z. Lazimin dhe familjen e tij, është edhe nxitje që njerëzit edhe më shumë të rikujtohen për të bërë dua për familjarët e tyre dhe për të tjerët që prehen te këto varre”. 

Myftiu i Tetovës ishte shumë falënderues edhe ndaj kryetares së Komunës së Tetovës  znj. Teuta Arifit për mbështetjen institucionale dhe bashkëveprimin në shumë projekte të përbashkëta. 

Fjalimin e tij Myftiu e përfundoi me një lutje drejtuar Allahut Fuqiplotë që z.Lazim Destanit dhe familjes së tij t’u japë shëndet, jetë të gjatë dhe të lumtur, si dhe t’i gëzojë në dynja dhe në ahiret. 

Në mbyllje të ceremonisë, Myftiu i Tetovës në shenjë respekti i dhuroi  Lazim Destanit një pikturë me peizazh nga muri i rinovuar i varrezave të vjetra.  Pas përfundimit të programit, pjesëmarrësit bënë një vizitë brenda dhe përreth hapësirës së varrezave për t’i parë punët e realizuara të këtij projekti.

Image 
Image 
Image