Bahtiri thotë se Shakira në Kosovë këndon pa para, por sa i kushtojnë asaj koncertet?

Aktuale October 16, 2018 - 11:56

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, po planifikon ta sjellë Shakirën në koncertin e hapjes së urës. Ai thotë se këngëtarja latino-amerikane nuk do të paguhet asnjë cent nga komuna e Mitrovicës dhe se është në interes të saj dhe të këngëtarëve të tjerë, të performojnë në urën që ndanë qytetin në dy pjesë.

Bahtiri ka vendosur që në ditën e hapjes së urë së Ibrit, ta sjellë në Mitrovicë një këngëtar/e me famë botërore. Tha se ylli që do të argëtojë serbët e shqiptarët në Mitrovicë do të jetë angleze a amerikane. Megjithatë Shakira tash është emri më konkret.

Kryetari i Mitrovicës në një bisedë me Gazetën Express ka thënë se këngëtarja nga Kolumbia, Shakira është një nga emrat me të cilët komuna po negocion për ta sjellë në Kosovë.

“Njëra ndër emrat është edhe Shakira”, thotë Bahtiri, duke shtuar se në listë kanë edhe emra të tjerë të njohur për të performuar në ditën që hapet ura, e cila ndan Mitrovicën në dysh, edhe pse nuk ka një datë se kur bëhet hapja e kësaj ure.

Sipas të dhënave të BusinessInsider në vitin 2016, Shakira hyn në listën e këngëtarëve më të paguar në botë. Ajo paguhet prej 1 milion deri në 1.5 milion për një koncert, shkruan Gazeta.

Megjithatë, Bahtiri thotë se nuk e ka ndërmend të jap asnjë cent nga komuna për këtë ngjarje që planifikon ta organizojë. Sipas Bahtirit, është në interes të Shakirës, apo këngëtarëve të tjerë, të marrin pjesë në një ngjarje.

“Nuk do të ketë mjete të ndara nga komuna e Mitrovicës për financimin e koncertit sepse është cështje që është në interes të atyre që vijnë këtu, për arsye se është një cështje madhore”, ka thënë Bahtiri.

Kryetari i Mitrovicës ka treguar se Ura e Ibrit do ta mbajë emrin e këngëtarës që do të performojë në ditën e hapjes së saj.

Idenë e hapjes së urës me përformancë të ndonjë këngëtari me famë botërore e ka përkrahur edhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli. Kjo ide nuk i ka pëlqyer kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili e konsideron terren të tensionuar vendin ku Bahitiri ka plan organizimin e një koncerti të madh.