Dy përcaktues për zgjedhjet

Aktuale October 16, 2018 - 10:37
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Ndonëse ka më shumë se një vit jetë, Qeveria e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj vazhdon të jetë e pasigurt në funksionimin e saj. Madje vlerësohet se shkas për rrëzimin e saj mund të bëhen pikërisht temat e mëdha, siç është dialogu me Serbinë, shtyrja eventuale e liberalizmit të vizave. Përveçqë tashmë janë dhënë sinjale se liberalizimi mund të mos përmbyllet deri vitin që vjen, kryeministri Haradinaj tashmë ka marrë alarmin nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, se shumë shpejt mund ta përfundojë punën si kryeministër, shkruan "Zëri". 

Rasim Alija, nga instituti “Demokraci për Zhvillim” (D4D), ka vlerësuar se koalicionin qeverisës e ka ndjekur “hija” e zgjedhjeve të parakohshme prejse e ka marrë pushtetin.

“Kjo edhe për shkak të mungesës së legjitimitetit si pasojë e numrave të pamjaftueshëm, por edhe për shkak të zhvillimeve e të qëndrimeve të kundërta për tema të caktuara brenda vetë koalicionit”, ka thënë ai për "Zërin". 

Alija më tej ka thënë se janë dy skenarë që do të mundë ta çonin vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.  

“Janë dy përcaktorë për opsionin e zgjedhjeve brenda këtij viti. Kalkulimi i partnerit të madh në koalicion, përkatësisht i PDK-së, nëse i konvenojnë zgjedhjet brenda këtij viti, sepse vetëm me ndonjërin nga anëtarët e koalicionit mund të kemi një rrëzim qeverie”, ka deklaruar ai.

Kurse skenari i dytë sipas tij ka të bëjë me faktin e ngecjes së temave të mëdha. Kësisoj, po qe se nuk përmbyllen këto çështje madhore siç është dialogu e liberalizimi dhe po qe se fillon aktivizimin Gjykata Speciale vendi ka gjasa të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“Përcaktori i dytë është momentumi kur vendoset për zgjedhje të reja. Kjo nënkupton se si do të zhvillohen ngjarjet në raport me dialogun, Gjykatën Speciale, liberalizimin e vizave, hyrjen në dimër e që rrjedhimisht mund të ketë dalje më të vogël të votuesve, funksionalizimi i KQZ-së e një sërë aspektesh të tjera të cilat e përcaktojnë vendimin dhe disponimin e secilit subjekt politik për zgjedhje të reja”, ka potencuar ai. /ZERI