Seanca maratonë për emrin e ri në Maqedoni, shumica nuk i ka votat

Aktuale October 16, 2018 - 10:15

Kuvendi maqedonas vijon seancën maratonë për ndryshimet Kushtetuese që janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës për ndryshimin e emrit Republika e Maqedonisë së Veriut.

Në seancën e sotme, ashtu si dje priten fjalime të gjata nga të gjithë deputetët, ndërsa në përfundim të diskutimeve do të hidhen në votim propozimet për ndryshimet kushtetuese.

LSDM, partia që udhëheq koalicionin u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të votojnë pro marrëveshjes me Greqinë, pasi i hap rrugë integrimit të Maqedonisë në NATO, por edhe negociatave për në BE.

Por për të kaluar marrëveshja duhen dy të tretat e votave (80 nga 120 deputetë) por shumica maqedonasve nuk i ka votat e mjaftueshme dhe vendi pritet që të shkojë në zgjedhje të parakohshme nëse nuk miratohen propozimet.