Gjenerata e re e Inspektoratit Policor nis trajnimin

Aktuale October 15, 2018 - 16:21

Të hënën në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike filloi trajnimi i gjeneratës së re të trajnimit profesional “Inspektor i Inspektoratit Policor të Kosovës”, ku pjesëmarrës janë shtatëmbëdhjetë kadetë.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin drejtori i përgjithshëm i akademisë, Ismail Smakiqi, Miradije Kelmendi, kryeshefe ekzekutive e Inspektoratit Policor të Kosovës, si dhe zyrtarë të lartë nga institucionet e sigurisë publike dhe organizatat ndërkombëtare.

Drejtori i përgjithshëm i akademisë, Ismail Smakiqi, theksoi se kjo është gjenerata e parë që po fillon trajnimin bazik të një programi profesional i cili është si rezultat i projektit të binjakëzimit të Komisionit Evropian.

Ai tha se është hera e parë që në akademi një agjenci fillon trajnimin profesional me program të validuar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, si rezultat i punës së përbashkët të ekspertëve vendorë e të projektit të binjakëzimit.

Në fund drejtori Smakiqi iu uroi sukses në përfundimin e këtij trajnimi pjesëmarrësve.

Ndërsa, kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi, tha se sot po shënohet një moment i veçantë pasi është gjenerata e parë që do të trajnohen dhe certifikohen në programe tashmë të njohura dhe validuara nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve për pozitën profesionale, inspektor policor.

“Juve ju pret një periudhë e vështirë në të cilën kërkohet angazhim dhe përkushtim i përditshëm, ne presim që ju të përfundoni këtë sfidë me rezultate të larta dhe pastaj bashkë të punojmë si pjesë e strukturës së Inspektoratit Policor për të rritur efikasitetin dhe profesionalizmin në arritjen me sukses të misionit të rëndësishëm të përcaktuar me ligj”, përfundoi Kelmendi.

Në fund, ajo falënderoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike dhe stafin për punën dhe përkushtimin e vazhdueshëm duke iu uruar suksese në arritjen e objektivave.