Liberalizimi këtë vit, vështirë i mundshëm

Aktuale October 15, 2018 - 13:53
DETAJET

Anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, njëherësh edhe nënkryetare e Lëvizjes Vetëvendosjes, ka thënë për gazetën “Zëri” edhe pse Bashkimi Evropian ka konstatuar se janë plotësuar kriteret në vazhdimësi po futen kritere të reja.

“Është padrejtësi që qytetarët e Kosovës të ndëshkohen për shkak të pushtetarëve. Çështja e numrit të vogël të azilkërkuesve duhet të merret parasysh dhe duhet të përmendet në takimet lobuese”, ka deklaruar ajo.

Deputetja e Vetëvendosjes më tej ka thënë se ka filluar t’i humbë optimizmi që ka pasur për heqjen e regjimit të vizave.

“Megjithatë në bazë të disa deklaratave të zyrtarëve të huaj nuk është shumë shpresëdhënëse që ka mundësi të ndodhë këtë vit liberalizimi. Duke u bazuar në disa informacione që i kemi shumë pak shtete do ta mbështesin. T’ju them të drejtën shumë më optimiste kam qenë më herët sesa që jam sot. Mbetet të vazhdohet lobimi”, ka shtuar Kollçaku.

LEXO EDHE: Numri i vogël i azilkërkuesve favorizon liberalizimin

Madje ajo ka thënë se disa shtete tani kanë filluar të kërkojnë rivlerësim për përmbushjen e disa kritereve nga ana e Kosovës.

 “Në bazë të informatave që i kam, edhe disa kritere të cilat vlerësohen të përmbushura tani ka tendencë nga disa shtete që të kërkohet rivlerësim. Mirëpo nëse krahasohemi më shtetet në rajon, nuk është që ato i kanë plotësuar kriteret që i kemi përmbushur ne, por prapë ne jemi ende pa liberalizim ndërsa shtetet tjera kanë”, ka theksuar ajo.

Në fund deputetja Kollçaku ka thënë se në kriterin kryesor - që është luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit, kjo Qeveri nuk e ka treguar asnjë përparim, megjithatë ajo ka thënë se është padrejtësi nga BE-ja që të mos u jepet liberalizimi kosovarëve./ZERI