Vetërrëzimi i Qeverisë, rruga e vetme për zgjedhje

Aktuale October 15, 2018 - 08:09
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Partitë opozitare vazhdojnë të kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Pasi opozita nuk i ka votat e nevojshme në Kuvend për rrëzimin e Qeverisë, vlerësohet se shkuarja në zgjedhje mund të ndodhë vetëm nëse pushteti aktual vendos të vetërrëzohet përmes deputetëve të tij, shkruan sot gazeta "Zëri".

Tri subjektet opozitare në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, janë duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi vlerësojnë se qeveria “Haradinaj” e ka humbur legjitimitetin.

LEXO EDHE: Sot jepet “urdhri” për ushtrinë

Por pasi opozita nuk i ka 61 votat e nevojshme në Kuvend për rrëzimin e saj, vlerësohet se mënyra e vetme që të shkohet në zgjedhje është nëse pushteti vendos të vetërrëzohet. Njohësit e çështjeve politike në vend thonë që mënyra e vetme për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” është nëse ndonjëra nga partitë në pushtet vendos ta rrëzojë atë, në të kundërtën ata e shohin si të pamundur sigurimin e votave nga ana e opozitës për rrëzim të saj. Sipas tyre, në situatën në të cilën ndodhet vendi nuk parashihet që do të ketë zgjedhje në një të ardhme të afërt. 

Zgjedhje të jashtëzakonshme sipas tyre mund të kemi tek në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm.

LVV-ja thotë se qeveria “Haradinaj” nuk do ta rrëzojë vetveten

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka thënë për “Zërin” se mundësitë që qeveria “Haradinaj” ta rrëzojë vetveten janë të vogla, mirëpo ai ka theksuar se janë duke punuar me qëllim që t’i sigurojnë 61 votat e nevojshme për rrëzimin e saj.

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm që qeveritë nuk e rrëzojnë vetveten, të rralla janë ato që e rrëzojnë vetveten dhe ne assesi nuk presim që qeveria ‘Haradinaj’ ta rrëzojë vetveten. Mirëpo presim që ne t’i bëjmë 61 vota dhe që ne nuk i kemi ato kjo dihet. Në momentin që opozita i bën 61 vota, sigurisht se do të kërkojmë mocion votëbesimi dhe ashtu do të realizohet synimi, të cilin ka opozita tashmë e shumë kohë”, ka thënë ai.
Kurteshi tutje ka potencuar se opozita duhet të punojë që t’i bindë së paku katër deputetë të koalicionit qeverisës të votojnë për rrëzimin e Qeverisë.  “Ne do të bëjmë përpjekje që t’i bëjmë 61 vota sepse jemi të interesuar ta rrëzojmë Qeverinë, mirëpo nuk mundemi ta rrëzojmë pa i bërë këto vota. Ne duhet t’i bindim 4 deputetë të pozitës, por vërehet se në mesin e deputetëve të pozitës ka pakënaqësi dhe ajo pakënaqësi duhet ta arrijë pikën kulmore, saqë 4 prej tyre të thonë se më nuk e përkrahim Qeverinë, pjesë e koalicionit të cilët janë edhe vetë”, ka theksuar ai.

LDK-ja kërkon votën e partive në pushtet për rrëzimin e Qeverisë

Në anën tjetër deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se presin edhe nga deputetët e koalicionit të cilët janë të pakënaqur me këtë Qeveri ta votojnë mocionin e propozuar nga LDK-ja.

“LDK-ja tani i ka nënshkrimet e gatshme, kjo gatishmëri është shprehur edhe nga LVV-ja, edhe nga PSD-ja. Tani do të përgatitet edhe teksti i mocionit dhe po mbajmë kontakte edhe me të gjithë ata që janë në koalicionin qeverisës e të cilët janë të pakënaqur që t`i bashkohen këtij mocioni dhe të na përkrahin për rrëzimin e kësaj Qeverie”, ka thënë Beqiri,
Ai ka theksuar se koalicioni qeverisës tashmë e ka humbur edhe shumicën në Kuvend dhe nuk ka më forcë politike për të marrë vendime, çfarëdo qofshin ato.

“Është një koalicion i pakicës, në kuptimin e numrave në Kuvend. Aktualisht raporti është 58 deputetë me 42, në favor të opozitës. Kur flasim, nga 100 deputetë shqiptarë dhe kur i marrim edhe pakicat këta tash e kanë një shumicë të brishtë e që në fakt nuk e kanë as këtë shumicë. Kjo do të thotë se ky koalicion nuk është në gjendje të marrë asnjë vendim, madje as të mbajë seanca”, ka thënë ai.

Mënyra e vetme për zgjedhje është që partitë e pushtetit ta rrëzojnë Haradinajn

Në anën tjetër Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për “Zërin” se mundësia që partitë opozitare ta rrëzojnë qeverinë “Haradinaj” është gati se e pamundur. “Sa i përket rrëzimit të Qeverisë, siç po kërkohet nga partitë opozitare edhe ata vetë e kanë pranuar që mundësia e rrëzimit të qeverisë ‘Haradinaj’ nëpërmes sigurimit të 61 votave për mocion nga ana e opozitës është pothuajse e parealizueshme, duke qenë se qeveria ‘Haradinaj’ përpos që i ka 61 numra në kuadër të koalicionit, brenda ka edhe eksponentë të caktuar siç është rasti i  deputetes Teuta Rugova, e cila deri më tani ka votuar pro, çdoherë kur i është nevojitur koalicionit PAN”, ka thënë ai.
Sipas tij, rrëzimi i Qeverisë mund të ndodhë vetëm nëse ndonjëra nga partitë e pushtetit në shenjë pakënaqësie vendos të votojë pro rrëzimit të Qeverisë. Kjo sipas tij do të ndodhë si pasojë e problemeve, të cilat janë duke u shpërfaqur ndërmjet koalicionit PAN për çështje të caktuara, sidomos në lidhje me çështjen e dialogut. “Mundësia e vetme të ndodhin zgjedhjet është përmes rrëzimit të Qeverisë nga ana e vet partive në pushtet, duke qenë se rastet kur qeveritë e dërgojnë mandatin deri në fund, duke pasur parasysh ndërtimin e koalicionit, janë raste mjaft të rralla në Kosovë. Po ashtu duke qenë se pastaj partitë në pushtet duhet të kenë një arsyeshmëri se si t’i dalin ata përpara elektoratit të tyre dhe se me çfarë preteksti do të kërkojnë votën e tyre”, ka theksuar ai.
Pavarësisht situatës politike në vend, Cakolli konsideron që zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk pritet të ndodhin së shpejti.  “Kjo nuk do të ndodhë në një periudhë afatshkurtër duke qenë se tanimë kanë kaluar çështje shumë me rëndësi në vend, siç janë formimi i ushtrisë, çështja e liberalizimit të vizave dhe përfundimi i dialogut. Andaj vlerësoj se do të jetë tejet e vështirë të kemi zgjedhje të reja, të paktën deri në 3 deri në 6-mujorin e parë të vitit të ardhshëm”, ka thënë ai. /ZERI