Sot jepet “urdhri” për ushtrinë

Aktuale October 15, 2018 - 07:55
DETAJET
Image

Sot pritet që Kryesia e Kuvendit t’i procedojë për seancë plenare tri projektligjet që mundësojnë ndryshimin e misionit ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ndërsa procedurat për miratimin e këtyre projektligjeve pritet të përfundojnë në muajin nëntor, shkruan sot gazeta "Zëri".

Sot pritet që Kryesia e Kuvendit të mbajë mbledhjen e saj, në të cilën do të vendoset data për shqyrtimin e tri projektligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, ndërsa fundi i nëntorit pritet të jetë koha kur i gjithë ky proces do të përfundojë. Për këtë çështje ka unitet të plotë të spektrit politik kosovar, kështu të paktën kanë bërë të ditur për gazetën “Zëri” deputetë si nga koalicioni qeverisës, ashtu edhe nga opozita. Ndonëse ende nuk dihet saktë se kur do të përfundojnë procedurat e miratimit të këtyre projektligjeve, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Mërgim Lushtaku ka propozuar që ligjet për ushtrinë të miratohen në një datë simbolike, më 28 nëntor.

LEXO EDHE: Numri i vogël i azilkërkuesve favorizon liberalizimin

Në anën tjetër, njohës të çështjeve të sigurisë janë shprehur optimistë se procedurat do të përfundojnë deri në fund të muajit nëntor, por kanë dhënë sugjerim që të bëhet me përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të NATO-s.

Shala: Në fund të nëntorit do të përfundojë i gjithë procesi

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK-së, Haxhi Shala, në një prononcim për gazetën “Zërin” ka thënë se tri projektligjet do të hidhen në votim në seancën e rregullt të Kuvendit.

“Sot Kryesia e Kuvendit do të diskutojë dhe do t’i procedojë tri projektligjet për FSK-në në seancën e ardhshme, kurdo që është ajo. Partitë e vendit unitetin e tyre e kanë treguar edhe në mbledhjet e Komisionit, mendoj që i njëjti unitet do të jetë në seancën kur do të votohen këto tri projektligje nga të gjitha grupet, përjashtim Listës Serbe, ndërsa partitë shqiptare dhe minoritetet e tjera do të jenë pro një transformimi të tillë”, ka thënë ai.

Tutje Shala ka përmendur disa nga procedurat dhe ka konkluduar se në fund të nëntorit do të përfundojë i gjithë procesi.

“Leximi i parë pritet të përfundojë brenda kësaj jave, eventualisht fillimi i javës tjetër. Pastaj do të hidhen në Komision dhe Komisioni do ta përfundojë punën e tij, ku do të rishikohen rekomandimet që dalin nga seanca, pra nga leximi i parë i deputetëve dhe besoj që në fund të nëntorit do të përfundojë i gjithë ky proces”, ka thënë ai.

Ibishi: Transformimi duhet të bëhet me përkrahjen e NATO-s dhe të SHBA-së

Nuredin Ibishi, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe njohës i çështjeve të sigurisë, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë që proceduralisht transformimi i FSK-së në ushtri mund të përfundojë deri në nëntor.

“Sa i përket aspektit procedural, mund të dorëzohet në Parlament dhe është e mundshme që në nëntor do të jetë  i gatshëm edhe leximi i dytë për miratim. Mirëpo çështja është se janë disa procedura të tjera për anëtarësimin në disa organizata ndërkombëtare, që ndoshta mund të ketë një shtytje më tej, por nëse e kemi përkrahjen e NATO-s dhe të SHBA-së transformimi mund të kryhet”, ka thënë ai.

Sipas Ibishit, tani rruga për transformim është e lirë sepse Lista Serbe nuk mund ta bllokojë më këtë proces.

“Lista Serbe tani nuk është fare në lojë, ajo mund të jetë kundër. Janë bërë lutje te ajo për ndryshime kushtetuese, mirëpo Lista Serbe nuk e miratoi atë, kështu që fare nuk janë relevante votat e Listës Serbe, tani e gjitha kjo nuk varet nga Lista Serbe, tani kjo shkon në Kuvend dhe për të duhet edhe pëlqimi i SHBA-së, i NATO-s dhe i vendeve të BE-së si partner strategjik” ka thënë ai.

Lushtaku: Ushtria të miratohet më 28 nëntor

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka propozuar që miratimi i këtyre ligjeve në seancë plenare në Kuvendin e Kosovës të ndodhë më 28 nëntor.

“Unë si deputet i Kuvendit të Kosovës propozoj që këto ligje të jenë të gatshme për miratim në seancë plenare në Kuvendin e Kosovës më datë 28 nëntor 2018. Jam plotësisht i vetëdijshëm që i rëndësishëm është procesi e jo data, por edhe simbolika ka rëndësinë e saj. Veçmas, si respekt dhe nderim për sakrificat nëpër të cilat ka kaluar populli i Kosovës”, ka shkruar Lushtaku në “Facebook”.

Tutje Lushtaku është shprehur optimist se për këtë iniciativë do të marrë përkrahjen e krerëve të shtetit, si dhe të kolegëve deputetë.

“U bëj thirrje që propozimin tim ta mbështesin në radhë të parë dy kolegët e mi deputetë, Rexhep Selimi e Daut Haradinaj, të cilët ishin protagonistët kryesorë, së bashku me heroin e kombit Mujë Krasniqin. Mendoj se ushtria, por edhe kjo datë simbolike të jetë një arsye për të na bashkuar jo vetëm për këtë proces, por edhe për rrugën tonë euroatlantike”, ka shkruar tutje ai.

Qehaja: Nëntori, afati i fundit për FSK-në

Ramadan Qehaja, njohës i çështjeve të sigurisë, është shprehur optimist se nëntori do të jetë muaji i shndërrimit të FSK-së në ushtri.

“Sipas të gjitha parashikimeve nëntori do të jetë afati i fundit sepse nuk kemi kohë për të humbur, sepse deri më tani kemi humbur tri vite, votimi do të ndodhë dhe transformimi në aspektin e atributeve ushtarake do të marrë një dekadë. Do të ketë unitet, aq më parë të gjitha partitë parlamentare përveç Listës Serbe janë për atë që të bëhen ndryshime në Ligjin për FSK-në dhe kujtoj që shumë shpejt pasi janë proceduar këto tri ligje në Kuvend do të aprovohen në afatin e caktuar”, ka thënë ai.

Tutje Qehaja ka thënë për gazetën “Zëri” se pavarësisht largimeve të disa pjesëtarëve serbë nga FSK-ja kjo forcë prapë do të jetë multietnike. “Largimet e pjesëtarëve serbë nuk do ta pengojnë rrugën e FSK-së, sepse ne ua kemi mundësuar atyre për të qenë pjesë e një force multietnike, ata kanë qenë e kanë liruar FSK-në për shkaqe politike dhe konkursi për ardhjen e serbëve në FSK do të jetë i hapur, por jo për ata që kanë dhënë dorëheqje. FSK-ja do të jetë forcë multietnike, aty do të ketë edhe serbë”, ka theksuar ai./ZERI