Numri i vogël i azilkërkuesve favorizon liberalizimin

Aktuale October 15, 2018 - 07:45
Bie numri i azilkërkuesve në Zonën Shengen
Image

Rënia e numrit të azilkërkuesve kosovarë në vendet evropiane vlerësohet si argument favorizues për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, pasi arsyeja kryesore e hezitimit të Francës, të Holandës dhe të Gjermanisë në këtë proces vjen nga frika e migrimit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Numri i kërkesave për azil në shtetet e Bashkimit Evropian dhe të Zonës Shengen nga ana e kosovarëve ka shënuar rënie gjatë vitit 2018. Sipas statistikave të EUROSTAT-it, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti Kosova nuk renditet në mesin e 30 shteteve të para për nga numri i azilkërkuesve. Gjatë këtij viti sipas këtyre të dhënave numri i azilkërkuesve nga Kosova është 2865 në vendet evropiane, që përbën një rënie të konsiderueshme e krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të vitit 2017.

LEXO EDHE: Hoxha shfajëson skenën politike për vizat, fajin e hedh tek migrimi

Kjo vlerësohet si një argument favorizues për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave pasi hezitimi i disa shteteve si Franca, Holanda e Gjermania në këtë proces vjen pikërisht për shkak të frikës për migrim masiv. Deputetët dhe njohësit e proceseve integruese thonë se rënia e numrit të azilkërkuesve gjatë lobimit për liberalizim duhet të përdoret si argument se qytetarët e Kosovës nuk përbëjnë rrezik për migrim në vendet evropiane.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se janë shumë të rëndësishme statistikat e publikuara së fundmi nga EUROSTAT-i për personat që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, pasi Kosova nuk bën pjesë as në vendet e 30-ta për nga numri i azilkërkuesve.

“Kjo gjithashtu është një argument shtesë për neve që t’u tregojmë këtyre vendeve se Kosova nuk do të përbëjë rrezik, Kosova nuk do ta keqpërdorë liberalizimin e vizave, e posaçërisht duke ditur faktin se nga ky hulumtim 83% e qytetarëve e dinë se çka do të thotë liberalizimi, e dinë se është 90 ditë qëndrim brenda 6 muajve, nuk mund të punosh, të studiosh, të jetosh në këto vende, pra është vetëm vizitë turistike pa viza”, ka vlerësuar ministrja Hoxha.

Rënia e numrit të azilkërkuesve, argument për BE-në
Edhe kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë për gazetën “Zëri” se kjo statistikë është një sinjal pozitiv për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.

 “Mendoj që është sinjal shumë pozitiv, pasi migrimi është njëra prej temave tepër të rëndësishme që është duke u diskutuar në nivel të Bashkimit Evropian, shtetet kanë adresuar si shqetësim dhe institucionet e Kosovës kanë bërë një hap tjetër të rëndësishëm. Tani Kosova nuk figuron në mesin e 30-të shteteve në listat e EUROSTAT-it sa i përket krizave të migrimit. Ky është një lajm i mirë për Kosovën, është një argument edhe për shtetet e Bashkimit Evropian”, ka vlerësuar Deliu-Kodra.

Ajo më tej ka thënë se migrimi është njëra prej shqetësimeve kryesore të vendeve të Bashkimit Evropian, prandaj kjo statistikë e EUROSTAT-it duhet të përdoret si argument nga Kosova.

“Kemi pasur disa takime me ambasadorë, edhe gjatë takimeve është përmendur si argument shumë i rëndësishëm dhe duhet të përmendet edhe në takimet tjera lobuese, pasi migrimi është njëra prej shqetësimeve kryesore të BE-së dhe të vendeve anëtare, prandaj Kosova ka një argument të fuqishëm”, ka shtuar ajo.
  
Liberalizimi këtë vit, vështirë i mundshëm

Anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, njëherësh edhe nënkryetare e Lëvizjes Vetëvendosjes, ka thënë për gazetën “Zëri” edhe pse Bashkimi Evropian ka konstatuar se janë plotësuar kriteret në vazhdimësi po futen kritere të reja.

“Është padrejtësi që qytetarët e Kosovës të ndëshkohen për shkak të pushtetarëve. Çështja e numrit të vogël të azilkërkuesve duhet të merret parasysh dhe duhet të përmendet në takimet lobuese”, ka deklaruar ajo.

Deputetja e Vetëvendosjes më tej ka thënë se ka filluar t’i humbë optimizmi që ka pasur për heqjen e regjimit të vizave.

“Megjithatë në bazë të disa deklaratave të zyrtarëve të huaj nuk është shumë shpresëdhënëse që ka mundësi të ndodhë këtë vit liberalizimi. Duke u bazuar në disa informacione që i kemi shumë pak shtete do ta mbështesin. T’ju them të drejtën shumë më optimiste kam qenë më herët sesa që jam sot. Mbetet të vazhdohet lobimi”, ka shtuar Kollçaku.

Madje ajo ka thënë se disa shtete tani kanë filluar të kërkojnë rivlerësim për përmbushjen e disa kritereve nga ana e Kosovës.

 “Në bazë të informatave që i kam, edhe disa kritere të cilat vlerësohen të përmbushura tani ka tendencë nga disa shtete që të kërkohet rivlerësim. Mirëpo nëse krahasohemi më shtetet në rajon, nuk është që ato i kanë plotësuar kriteret që i kemi përmbushur ne, por prapë ne jemi ende pa liberalizim ndërsa shtetet tjera kanë”, ka theksuar ajo.

Në fund deputetja Kollçaku ka thënë se në kriterin kryesor - që është luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit, kjo Qeveri nuk e ka treguar asnjë përparim, megjithatë ajo ka thënë se është padrejtësi nga BE-ja që të mos u jepet liberalizimi kosovarëve.

Ndërkohë kryesuesi i bordit ekzekutiv të institutit “Epik”, Taulant Kryeziu, ka thënë se çështja e migrimit ilegal është shqetësimi i parë i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Çështja e migrimit ilegal është së pari shqetësim i vet vendeve të BE-së, kemi parë një kohë problemet që ka pasur qeveria populiste italiane, me atë që po quhet barra e emigrantëve dhe kërkojnë që kjo barrë e emigrantëve të ndahet brenda gjithë vendeve anëtare të BE-së dhe jo të atakohet vetëm një vend. Problemet që ka pasuar pastaj kancelarja Merkel me partnerin e saj konservator të koalicionit, i cili ka bërë thirrje edhe për mbyllje të kufijve”, ka deklaruar Kryeziu.

Më tej ai ka thënë se lobimi më i mirë për liberalizim do të ishte që politika kosovare ta ndërpresë ndikimin në sistemin e drejtësisë “Duke i pasur parasysh këto institucionet tona fushatën më të mirë që do ta bënin do  të ishte që politika të ndërpresë njëherë e përgjithmonë ndikimin në sistemin e drejtësisë dhe ta kuptojë që pa drejtësi të pavarur, efikase, transparente me njerëz me kredibilitet të cilët do të jenë të gatshëm ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin e niveleve të larta nuk mund të bindim asnjë kryeqytet të BE-së që ne jemi vend i denjë për të qenë pjesë e klubit evropian”, ka shtuar ai. /ZERI