Tërheqja e njohjeve, propagandë e Serbisë

Aktuale October 12, 2018 - 12:34
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Diplomacia serbe është duke e vazhduar ofanzivën për të siguruar sa më shumë “çnjohje” të shtetit të Kosovës. Madje ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë se shpresojnë se deri në fund të vitit numri i njohjeve të Kosovës të bjerë nën 100. Në anën tjetër, Kosovën nuk e ka njohur asnjë shtet i ri që nga shkurti i këtij viti, shkruan "Zëri". 

Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, për “Zërin” ka thënë që deklaratat për tërheqjen e njohjeve janë vetëm propagandë e shtetit serb karshi Kosovës.

“Sa i përket tërheqjes së njohjeve, në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk njihet koncepti i ‘tërheqjes së njohjeve’ dhe nuk mund të ketë tërheqje. Kjo është një propagandë dhe lojë e Serbisë që po bën me Kosovën”, ka thënë ajo.

Ndërsa e pyetur nëse diplomacia kosovare po bën mjaftueshëm për të marrë njohje të reja, Pacolli ka thënë se me sjelljen e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës nuk mund të ketë njohje të reja.

“Jo, Kosova nuk është duke bërë mjaftueshëm. Sot ne kemi një president i cili ka hedhur në tavolinë të diskutimit me Serbinë sovranitetin dhe kufijtë e shtetit të Kosovës, ministri i Punëve të Jashtme po jep deklarata tejet të dëmshme për shtetin e Kosovës, duke theksuar se nuk ka nevojë të kemi kufij në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa kryeministri po kujdeset që të ruajë postin e kryeministrit. Me këtë sjellje të udhëheqësve të politikës së jashtme nuk mund të ketë njohje të reja dhe as nuk do të ketë”, ka thënë ajo. /ZERI