Pacolli: Jemi në lobim intenziv

Aktuale October 11, 2018 - 14:15
Lajmet e fundit nga vendi

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë se është duke punuar që të përmirësohet shërbimin diplomatik dhe të bërit diplomaci. Ai poashtu ka thënë se diplomacia kosovare është në lobim intensiv.

Për më shumë lexoni intervistën me kryediplomatin kosovar.

Si Zëvendëskryeministër i Parë dhe veçanërisht si Ministër i Punëve të Jashtme, a mund ta dimë së çfarë është duke ndodhur më procesin lobues në përgjithësi?

Pacolli: Siç e dini, për aq kohë sa kjo nuk keqpërdoret nga kundërshtarët e afirmimit ndërkombëtar të shtetësisë së Republikës së Kosovës, unë angazhohem në diplomaci transparente, dhe ju e keni parë, Kosova nuk ka pasur asnjëherë diplomaci më aktive, më dinamike dhe më gjithëpërfshirëse, pra jemi të angazhuar në lobim total.

Ministër Pacolli, çfarë nënkuptoni me shprehjen total?

Pacolli: Unë nuk jam ai Ministër i cili kufizohet vetëm në aranzhimin e takimeve protokollare dhe as nuk më bënë përshtypje PR-i maksimal me rezultate minimale. Me këto merren ata që kanë shumë kohë të lirë. E preferoj të kundërtën, përderisa shërbimi ynë diplomatik organizon vizita me vende me të cilat kemi marrëdhënie partneriteti dhe marrëdhënie konstruktive, unë drejtpërdrejtë përfshihem në vendosjen e kontakteve, komunikimit dhe bashkëpunimit, me shtete me të cilat nuk kemi marrëdhënie si dhe me ato me të nuk kemi arritur t’i avancojmë raportet. Angazhimi im është Tëo-Track (dy binarësh). Dhe të jeni të sigurte, në një botë ku politika e jashtme dhe diplomacia, janë shumë më të hapura, shumë më kolorite, shumë më gjithëpërfshirëse, kjo qasje po pikë-takon dhe prodhon nyje dhe hallka strategjike të përkrahjes së synimeve të Republikës së Kosovës. Pra kjo është ajo qasja totale, e cila po krijon një rrjet diplomatik të përkrahjes për Kosovë.

A ishte kjo ajo çfarë pamë edhe në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, UNGA....

Pacolli: Saktë, mund të thuhet, nuk mund të ishte ndryshe. Unë nuk shkoj në UNGA dhe të ulem e të pres që të tjerët të interesohen për Kosovën dhe synimet e saj. Unë nuk shkoj në UNGA dhe të sillemi sikurse jemi shtet dhe shoqëri e vetëmjaftueshme. Sepse përtej përkrahjes së partnereve tanë strategjik sikurse SHBA, BE, vendet anëtare të saj, ne na duhet përkrahje globale në të gjitha gjeografitë. Ta zëmë, në na duhet përkrahja e vendeve të vogla, na duhet përkrahja e vendeve afrikane. Qasja ime në këtë drejtim tenton të krijojë atë çfarë unë e quaj, spektër i sigurisë së afirmimit dhe promovimit ndërkombëtar. Pra dua të theksoj...

...Ministër më falni që po ju ndërpresë në këtë bisedë të shpejtë, po a nuk e kemi ne një spektër të sigurisë, 116 vende na kanë njohur, SHBA-të dhe BE na kanë përkrahur, së paku deri sot...

Pacolli: ...Kur them spektër e kam fjalën, me vendet që na përkrahin strategjikisht, dëshirojmë ta mirëmbajmë dhe fuqizojmë këtë përkrahje strategjike, për vendet me të cilat kemi marrëdhënie korrekte, duhet të synojmë t’i kthejmë në partnerë të rëndësishëm, për vendet të cilat kanë pozicion ta pa artikuluar, duhet të punojmë me to që të kenë një qasje konsistente dhe korrekte ndaj nesh, për vendet kundërshtare, ne duhet t’i bindim që Republika e Kosovës është storie suksesi dhe nuk reflekton analogji, për vendet e lidhura ngushtë në partneritet dhe miqësi me Serbi, ne komunikojmë me to dhe godasim narracionin destruktiv dhe propagandues të Serbisë. Pra ky është ai spektri për të cilin po flisja.

Të kthehemi te avancimi i statusit në Frankofoni, a mund ta në shpjegoni se çka do të përfitojë Republika e Kosovës me këtë avancim?

Pacolli: Ju e dini që Republika e Kosovës përkrahet fuqishëm nga komuniteti i vendeve anglisht folëse. Ju e dini ta zëmë që Franca, Kanada, si vende frankofone, kanë mbështetur fuqishëm aspiratat e Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve. Frankofonia është një komunitet i më shumë së 80 vendeve, pra pothuaj 2/5 e globit, prandaj avancimi në këtë organizatë është avancim i pozitës dhe rolit tonë brenda këtij komuniteti. Frankofonia është pasqyrim i vlerave civilizuese të promovuar në nivel global, në rrafshin e brendshëm Kosova ka nevojë për standarde dhe vlera globale të cilave ju referohet, të cilat i përqafon dhe i promovon. Në vetvete avancimi statusit të Kosovës është një vlerësim apo rekomandim i vendeve të këtij komuniteti, i kësaj organizate, për të arriturat e Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, për aq kohë sa ne marrim vlerësime pozitive dhe për aq kohë sa ne avancojmë dhe afirmohemi, ne krijojmë kapital diplomatik për synimet tjera, ta zëmë anëtarësimi në Frankofoni është kapital diplomatik dhe platformë e jashtëzakonshme e bashkëpunimit me këto vende. Kjo mund të shfrytëzohet për njohje të reja dhe për avancimin e agjendës multilaterale. Gjithashtu, organizatat dhe forumet ndërkombëtare janë mundësi unike e të bërit diplomaci shumëpalëshe, intenzive, prandaj avancimi i Republikës së Kosovës nga statusi i vëzhguesit në status të vendit të asociuar, krijon mundësi të reja të afirmimit tonë shtetëror, dhe të shtyrjes përpara të politikës së jashtme dhe diplomacisë, pra është një leve e fortë e Kosovës.

Sipas jush, ka një lidhje të fortë mes anëtarësimit në një organizatë, me anëtarësimin në një organizatë tjetër?

Pacolli: Nuk është sipas meje. Jetojmë në një ambient kur një ngjarje e caktuar në një kënd të skajshëm të botës, tërheq vëmendjen e mbarë botës. Rrjedhimisht, është naive të besohet që suksesi i Kosovës në diplomaci, sport, kulture, apo çfarëdo tjetër, nuk dërgon sinjal të fuqishëm globalisht. Madje ne duhet të synojmë që ta amplifikojmë jehonën e secilit sukses, dhe ketë duhet të bëjmë më shumë zhdërvjelltësi. Të tjerët do merren me ne, për aq kohë sa na prodhojmë lajme suksesi dhe për aq kohë sa ne i promovojmë ato brenda dhe ndërkombëtarisht.

Dua t’ju falënderoj, por do doja edhe një pyetje të fundit, me këtë pozicionim i bie që ne nuk kemi probleme në politike të jashtme dhe diplomaci?

Pacolli: Duhet dallojmë sfidat e jashtme me angazhimin dhe çështje të brendshme. Ne mund ta përmirësojmë shërbimin dhe të bërit diplomaci, jemi duke punuar në këtë drejtim. Në lidhje me sfidat, ato janë aty për tu tejkaluar, jo vetëm për të diskutuar e për ndalur para tyre. Me lejoni ta them që avancimi  këtij statusi nuk ka ardhë vetvetiu, përpos se si proces i lobimit intenziv, i cili po ashtu ka kërkuar edhe angazhim të jashtëzakonshëm që të përmbushim kriteret brenda vendit në mënyrë që aplikacioni ynë të pranohet. Pra avancimi i Republikës së Kosovës është proces meritor i angazhimit të brendshëm dhe diplomatik...

Image