PSD merr pjesë në takimin e thirrur nga Kadri Veseli

Aktuale October 11, 2018 - 10:50
Lexo tjera detaje

Partia Soacialdemokrate ka vendosur që të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Kryeparlamentari, Kadri Veseli ku do të diskutohet për draftë-rezolutën e propozuar nga Qeveria.

Kështu ka bërë të ditur për “Gazeta Blic”, zëdhënësja e partisë, Natyra Kuqi.

Sipas saj ata po marrin pjesë në këtë takim për të paraqitur qëndrimet e partisë.

“Po do të jetë një përfaqësues i Partisë Socialdemokrate që do të paraqes qëndrimin tonë”, ka deklaruar Kuqi.

Në fotografi: Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi

Për dallim nga PSD e Shpend Ahmetit partia e Albin Kurtit ka vendosur që ta bojkotoj këtë takim pasi që sipas tyre pjesëmarrja në këtë takim do të thotë legjitimim i Thaçit për të vazhduar bisedimet me Serbinë.

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci tha për “Gazeta Blic”, se nuk asnjë arsye pse të jenë pjesë e këtij diskutimi.

Sipas saj çdo rezolutë e re vetëm se e legjitimon Hashim Thaçin për negociuar me Serbinë.

“Lëvizja nuk merr pjesë ne i kemi bërë të qarta qëndrimet tona dhe nuk ka arsye të marrim pjesë në këtë tryezë sepse mendojmë që çdo rezolutë e re veç që e legjetimon diskutimin apo bisedimet e Thaçit më tutje”, ka deklaruar Nagavci.

Në anën tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media ka bërë me dije se takohet me të gjitha partitë parlamentare për t’u marrë vesh për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe orientimet për dialogun pas këtyre zgjedhjeve.

“Këto qëndrime duhet të jenë të qarta edhe për kryetarin e Kuvendit. Si parti politike, më e madhe në Kosovë, qëndrimet tona i shpalosim para anëtarësisë dhe qytetarëve tanë, kurse në Kuvend përmes grupit tonë parlamentar”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i ka dërguar ditë më parë ftesat krerëve të partive opozitare për tu takuar së bashku të enjten (sot) në ora 11:00 në Kuvend për të diskutuar për harmonizimin e qëndrimeve për rezolutën lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

“Me anën e kësaj letre, dëshiroj t’ju ftoj Ju ose përfaqësuesin e partisë tuaj, në një takim gjithëpërfshirës në mënyrë që të dakordohemi dhe kështu të ndërtojmë një frymë bashkëpunimi për çështjen e dialogut. Kohezioni politik i brendshëm, është i domosdoshëm, për të mundësuar forcimin e pozicionit negociator të Kosovës si dhe për të përmbushur aspiratat që ne kemi për të zënë vendin që na takon në OKB, BE, NATO dhe forumet tjera ndërkombëtare”, thuhet në ftesën që kreu i Kuvendit u ka dërguar krerëve të partive opozitare.

Kryeparlamentari dhe Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli

“Me sa duket nga qëndrimet publike, të gjitha partitë parlamentare e mbështesin në parim procesin e dialogut, por kanë dallime në qasje duke ofruar propozime të ndryshme rreth rezolutës për procesin e dialogut. Prandaj kam vendosur që të ftoj të gjithë udhëheqësit e partive parlamentare për të diskutuar e harmonizuar një rezolutë të përbashkët në Kuvend”, thuhet në ftesën e Veselit.

Takimi do të mbahet të enjten, më 11 tetor, ora 11:00, në Sallën C301 në Kuvendin e Kosovës.