Opozita refuzon ftesën për harmonizim të rezolutës

Aktuale October 11, 2018 - 08:12
Lexo tjera detaje
Image

Partitë opozitare nuk do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga kryeparlamentari Kadri Veseli për harmonizimin e rezolutës së propozuar nga koalicioni qeverisës për dialogun Kosovë - Serbi. Përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se ftesa është joserioze dhe janë shprehur të gatshëm të ulen në bisedime me pushtetin për të caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme. Ndërsa subjekti tjetër opozitar Partia Socialdemokrate ende nuk ka marrë një vendim për pjesëmarrje ose jo në këtë takim, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes këtij njoftimi për medie ka bërë të ditur që e vetmja formë për të cilën ky subjekt do të ulet në tavolinë të bisedimeve është takimi i datës së zgjedhjeve. “Si parti politike, më e madhja në Kosovë, qëndrimet tona i shpalosim para anëtarësisë dhe qytetarëve tanë, kurse në Kuvend përmes grupit tonë parlamentar. LDK-ja është e gatshme të takohet me të gjitha partitë parlamentare për t’u marrë vesh për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe orientimet për dialogun pas këtyre zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Duke iu referuar ftesës së kryeparlamentarit Veseli, ky subjekt ka konsideruar se qëndrimet e deritanishme janë të qarta karshi kësaj ftese. “Lidhja Demokratike e Kosovës disa herë i ka bërë të qarta para opinionit dhe anëtarësisë së saj qëndrimet për dialogun me Serbinë. Këto qëndrime duhet të jenë të qarta edhe për kryetarin e Kuvendit”, thuhet në komunikatë.

Kurse nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Mulahaxha-Kollçaku, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë që ky subjekt nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Kadri Veseli. “Kjo ftesë nuk është serioze për faktin se nuk është thirrur, mbajtja e seancës së thirrur nga opozita tregon që nuk ka seriozitet në këtë drejtim. Ne nuk do të marrim pjesë sepse ne i kemi paraparë hapat të cilët duhet t’i ndjekim, fillimisht është paraparë analiza e raportit 36-faqësh, të cilin e ka sjellë Qeveria për sfidat dhe arritjet e dialogut 2011-2017, ku nuk është shënuar asnjë progres në këtë drejtim”, ka thënë ajo.

Sipas saj, vetëm pas seancës së opozitës dhe pas analizës së dialogut do të duhej një platformë e re për këtë proces, nëpër të cilin është duke kaluar Kosova. “Ne mendojmë se fillimisht është dashur të caktohet seancë, ku do t’i bëhej e qartë presidentit Thaçi se nuk ka asnjë autorizim nga Kuvendi i Kosovës që të vazhdojë dialogun dhe ky dialog si i tillë duhet të ndërpritet. Pas analizës që do të duhej t’i bëhej dialogut të deritanishëm duhet të vazhdohet me kërkesat tona karshi Serbisë, sepse ajo na ka bërë shumë dëm neve dhe çështja tjetër, duhet të ketë një platformë të qartë për qëllimet, pastaj duhet të formohet një ekip negociator”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, në një prononcim për gazetën “Zëri”, ka thënë se rezoluta e propozuar nga partia e tij dhe iniciativa e kryeparlamentarit është mënyra më e mirë e krijimit të konsensusit. “Iniciativa e kryeparlamentarit dhe rezoluta e propozuar nga PDK-ja e përfshin në mënyrën më të mirë të mundshme interesin shtetëror, si dhe pikëpamjet dhe shqetësimet e partive politike për dialogun gjatë verës, sidomos ato çka i përjetuam në javën e parë të shtatorit, ku përpjekjet e ndara të partnerëve të koalicionit, si dhe opozita filloi disa seanca, ne nuk arritëm të kemi asnjë tekst të përbashkët dhe asnjë delegacion të përbashkët. Prandaj iniciativa e kryeparlamentarit Veseli është mënyra më e mirë e krijimit të një konsensusi politik”, ka thënë ai.

Sipas tij, pjesëmarrja e opozitës në këtë takim do të tregojë se a është me të vërtetë opozita e interesuar për zgjidhjen e “ngërçit” politik. “Ne duhet të presim deri në kohën e takimit, iniciativa tregon se si mund të arrihet pjekuria serioze e të gjitha partive politike dhe ne do të bëjmë maksimumin për krijimin e një konsensusi politik aq sa mundet PDK-ja, por u takon edhe subjekteve të tjera. Kur partnerët ndërkombëtarë janë të interesuar për përmbyllje të këtij procesi, ne nuk jemi ithtarë që politika e status quo-së të vazhdojë në pafundësi, por jemi të interesuar që të përmbyllet ky proces”, ka thënë ai./ZËRI