Sivjet s’ka marrëveshje me Serbinë

Aktuale October 11, 2018 - 08:00
Image

Bashkimi Evropian dhe negociatorët e dialogut të Brukselit në vazhdimësi kanë paralajmëruar se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet gjatë këtij viti, por një gjë e tillë vlerësohet e paarritshme pasi të dyja palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta për përmbajtjen e marrëveshjes, e cila madje ende nuk ka filluar të negociohet, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Pavarësisht se në fillim të këtij viti zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, janë shprehur optimistë se marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të arrihej gjatë vitit 2018, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë. Kështu konsiderojnë monitoruesit e procesit të dialogut, të cilët thonë se arritja e një marrëveshje përfundimtare në mes të dyja vendeve është e pamundur të ndodhë në rrethanat aktuale brenda këtij viti. Në anën tjetër, përfaqësuesit e partive në pushtet pohojnë se dialogimi me Serbinë nuk është aspak i lehtë, porse ky proces duhet të vazhdojë. Ndërkaq, zyrtarë të opozitës vlerësojnë se procesi i negociatave nuk do të përmbyllet këtë vit. Andaj, siç ata vlerësojnë, duhet patjetër të bëhet një platformë, me të cilën do të pajtohet gjithë spektri politik në Kosovë. Vetëm në këtë formë sipas opozitarëve mund të arrihet një dakordim i gjerë mes dy taborëve. Në të kundërtën, siç ata janë shprehur, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.  

Nëse s’ka konsensus rreth dialogut, atëherë vendi të shkojë në zgjedhje

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka konsideruar se nuk është fare e lehtë që marrëveshja përmbyllëse me Serbinë të arrihet brenda vitit 2018. “Në këtë vit kalendarik është gati e pamundur që të përmbyllet, duke e marrë parasysh edhe trendin, edhe moszbatueshmërinë e marrëveshjeve të arritura deri më tani”, ka deklaruar ajo.

Sipas Kusari-Lilës, së pari duhet që të arrihet një konsensus i brendshëm rreth këtij procesi. “Konsiderojmë që është e domosdoshme të gjitha partitë politike shqiptare, pozitë e opozitë, të ulen së bashku dhe të kenë një platformë të përbashkët. Vetëm kështu mund të arrihet konsensusi. Nëse jo, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që të ketë institucione kredibile, të cilat mund të arrijnë që ta ndërtojnë konsensusin e përbashkët”, ka shtuar ajo.

Sipas deputetes së Alternativës, konsensusi është e vetmja formë për ta arritur një zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme në mes të dyja vendeve dhe arritja e dakordimit të gjerë mes partive varet krejt nga qasja e pozitës.

Dialogu me Serbinë, aspak i lehtë

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka vlerësuar se procesi i dialogut Kosovë - Serbi është mjaft i vështirë. Por sipas Isufit, Kosova duhet të marrë pjesë në dialog duke kërkuar që të arrihet njohja reciproke mes dy shteteve.

Ai më tej ka vlerësuar se qëndrimet mes pozitës e opozitës rreth negociatave me Serbinë janë mjaft të përafërta, porse interesat e disa partive nuk po lejojnë arritjen e një konsensusi. “Qëndrimet janë të përafërta sepse edhe pozita, edhe opozita janë të deklaruara njëjtë sa i përket dialogut me Serbinë, po ashtu edhe për temat të cilat duhet të fliten siç janë platforma dhe ekipi, por më shumë janë interesat e ngushta politike që nuk po lejojnë të ketë një konsensus të plotë”, ka potencuar Isufi.

E paralajmërimeve se këtë vit do të mund të arrihet një marrëveshje finale me Serbinë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, ka thënë se problemi mes Kosovës e Serbisë nuk mund të përmbyllet shpejt. “Ndoshta Thaçi është marrë vesh me Vuçiqin, por ne nuk jemi marrë vesh me Serbinë. Prandaj, ndoshta shumë shpejt mund të ketë përfundim të Thaçit me Vuçiqin, por nuk mund të ketë shumë shpejt përfundim të Kosovës me Serbinë”, ka theksuar Selimi.

Vështirësi për arritjen e marrëveshjes

Në anën tjetër Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) në kuadër të projektit për dialog, ka vlerësuar se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë përgjatë këtij viti është thuajse e pamundur të ndodhë. “Duke u bazuar në deklaratat e deritanishme edhe nga pala serbe, edhe nga ajo e Kosovës dhe kundërshtimin e madh të bashkësisë ndërkombëtare për propozimet aktuale vlerësoj që është teknikisht e pamundshme të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë këtij viti”, ka deklaruar ai.

Madje, siç Cakolli është shprehur, edhe më e vështirë do të jetë që një gjë e tillë të realizohet gjatë vitit që vjen. “Vlerësoj se do të jetë edhe më vështirë që të arrihet vitin e ardhshëm, duke marrë parasysh zgjedhjet për Parlamentin Evropian që do të ndikojnë në ndryshimin e kostalacionit politik të atij organi dhe në këtë mënyrë do të vonohet edhe procesi në tërësi, duke qenë se tanimë fokusi kryesor pritet të jetë Maqedonia, përkatësisht zgjidhja e çështjes së emrit dhe Kosova tashmë ka humbur mundësinë me Serbinë që të arrijë një marrëveshje brenda këtij viti ose brenda këtij mandati të Parlamentit Evropian”, ka shtuar ai.

Pavarësisht tij, politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se marrëveshja finale Kosovë - Serbi nuk do të marrë më shumë se një vit kohë deri te realizimi. “Është me rëndësi që ka vullnet dhe marrëveshja do të bëhet. Duhet uruar që të bëhet sivjet, varet sa takime bëhen. Por nuk besoj që zgjat më shumë se një vit deri në marrëveshje”, ka theksuar ai. 

Ndërkohë, teksa ka folur për mundësinë e arritjes së një dakordimi nacional, Tahiri ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur konsensus të gjerë rreth negociatave me Serbinë. “Nuk ka konsensus për çështje të dialogut në mes të pozitës e të opozitës dhe nuk ka pasur asnjëherë në Kosovë, sepse institucionet e Kosovës ende nuk e dinë se çka kërkojnë nga dialogu”, ka shtuar ai./ZËRI