PSD e pavendosur nëse do të merr pjesë në takimin e thirrur nga Veseli

Aktuale October 09, 2018 - 14:32
DETAJET

Deputeti nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Dukagjin Gorani në një konferencë për media tha se përgjigjen përfundimtare se a do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga kryeparlamentari Veseli do ta marrim nesër në mbledhjen e kryesisë, raporton “Zeri.info”.

Sipas tij, vendi aktualisht është në një ngërç parlamentar dhe siç ka thënë ai ka mosmarrëveshje mes partive në koalicion.

"Është paralizë e pakuptimtë e shkaktuar nga koalicioni qeverisës. Kemi hyrë në javën e tretë të mos thirrjes së seancave. Dy muaj më herët presidenti e nxjerri një parim rreth procesit të dialogut. Presidenti vendosi ta promovoj zgjidhjen më të rrezikshme, shkëmbimin territorial. Ai manipuloi edhe me sentimentin etnik dhe kombëtar duke e bërë këtë si proces të njëkohshëm kinse Kosovës ju bashkohet Presheva dhe nuk jep asgjë. Pohimet e tilla përbëjnë provokim qëllim keq. Në kundërshtim të kësaj doli edhe kryeministri Haradinaj. Sot ndodhemi në një ngërç të plotë parlamentar. PSD konsideron se kjo fazë e diskutimeve të kota e ka shpërfaqur atë që dihej, mungesën e fuqisë politike të akterëve për ta udhëhequr një proces politik. Presidenti i vendit nuk ka fuqi për të vendosur për popullin. Opozita vazhdon të jetë e pamjaftueshme për ta rrëzuar këtë qeveri", tha ai.

LEXO EDHE: Opozita: Thaçi po e shantazhon Qeverinë

Gorani tha se koalicioni qeverisës është i dobët dhe s`ka fuqi të miratoj propozime.

"Në këtë kontest të ngërçit duhet të interpretohet edhe ftesa e Kadri Veselit për një takim me opozitën. Opozita sërish ftohet që vetëm ta plotësoj një konstruksion tashmë të përfunduar të ekipit negociator. Një koalicion i dobët qeverisës nuk e ka privilegjin të hartoj propozime me qasjen ose merre ose leje. PSD e rithekson se një çështje si dialogu duhet të zgjidhet përmes debatit në Kuvend. Aty duhet të formohet ekipi negociator. Zgjidhja e vetme duhet të prodhohet në fillim të procesit dhe jo përmes ftesës në një akt të kryer. Me të kërkohet që dy të tretat të vendos për përmbajtjen e platformës negociatore formimin e ekipit negociator dhe mbikëqyrjen nga Kuvendi", theksoi ai.

Gorani foli edhe për sulmin që iu bë ditën e djeshme dy të rinjve kosovar në Serbi. 

"Dua të shprehi indinjatën tonë ndaj lëndimit të dy të rinjve ne Serbi sulmi huligan ndaj tyre ka alarmuar opinionin publik duke kthyer imazhin e shtetit serb. PSD i uron shërim të shpejtë dhe kërkojmë që Qeveria të shtroj presionin qe autorët e këtij krimi të dënohen",tha ai. /ZERI