Pozita, e bindur që s’do të ketë zgjedhje

Aktuale October 09, 2018 - 11:59
DETAJET

Teksa ka komentuar deklaratat e presidentit Thaçi, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka thënë se për t’u korrigjuar kryeministri Haradinaj fillimisht duhet të gabojë, shkruan "Zëri".

“Secili kryeministër për t’u korrigjuar duhet të gabojë. Korrigjohen ata që bëjnë gabime. Sa i përket dialogut e kemi thënë që jemi për të gjetur zgjidhje, por duhet unitet i të gjitha subjekteve, nuk flitet për interesin e asnjë subjekti politik. Flitet për interesin e vendit dhe në këtë rast askush nuk e ka të drejtën për të bërë gabime në dëm të vendit”, ka deklaruar ajo.

Sipas Haxhiut, vendi mund të shkojë në zgjedhje kur dëshiron koalicioni qeverisës ose opozita, porse jo presidenti i shtetit. Porse, aktualisht sipas saj, koalicioni është duke funksionuar siç duhet.

“Për çdo qeveri që bën gabime është e drejtë e opozitës që të thërrasë rrëzim të qeverisë. Ne jemi të gatshëm kurdo që shkohet në zgjedhje. Por tash jemi duke shkuar shumë mirë me partnerët e koalicionit”, ka potencuar ajo.

LEXO EDHE: “Lufta” mes Thaçit e Haradinajt

Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, është shprehur i bindur se nuk do të ketë zgjedhje të reja këtë vit, porse nuk ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve po qe se nuk arrihet një konsensus mes partive.

“Momentalisht nuk ka agjendë për zgjedhje të përgjithshme, por nëse institucionet nuk mund ta arrijnë konsensusin që presin qytetarët, atëherë nuk përjashtohen zgjedhjet. Por megjithatë nuk shoh zgjedhje në vitin 2018”, ka thënë ai.

Sipas Beqës, koalicioni qeverisës momentalisht nuk është duke pasur probleme sa i përket funksionimit “Momentalisht është funksional koalicioni, por kjo nuk do të thotë që atëherë kur nuk funksionon të mos mundë të diskutohet edhe për çështje dhe për tema të reja. Por momentalisht nuk ka ndonjë arsye që të diskutohet për zgjedhje”, ka shtuar ai.