Akademia e “plagjiaturës”

Aktuale October 09, 2018 - 08:14
Mësoni se cilët antarë të Akademisë së Shkencave kanë bërë plagjiaturë në punime shkencore
Image

Organizata “Integra” ka prezantuar hulumtimin “Kriza në Akademi”, në bazë të të cilit mënyra sesi funksionon Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është cilësuar skandaloze, shkruan sot gazeta "Zëri".

Organizata “Integra” ka prezantuar para Komisionit Parlamentar për Arsim një hulumtim për Akademinë e Shkencave, ku janë evidentuar mjaft shkelje nga ky institucion. Kushtrim Koliqi, nga “Integra”, ka thënë se ASHAK-u është në gjumë dhe nuk është llogaridhënës.

Sipas tij, të gjeturat në këtë hulumtim janë brengosëse dhe neveritëse. Madje Koliqi ka thënë se kjo akademi ka qenë më produktive në kohën e Milosheviçit sesa tash.

LEXO EDHE: Kuvendi i “harron” seancat

“Arsyeja pse kemi filluar me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve është sepse është njëri prej institucioneve kryesore në vend që ishte dashur të kontribuojë shumë në bërjen e politikave së paku për shkencë dhe kulturë në Kosovë. Të gjeturat janë shumë brengosëse, kur një institucion si Akademia e Shkencave është në këtë gjendje, çka presim ne prej institucioneve të tjera. Akademia e Shkencave ka qenë më produktive gjatë kohës së Milosheviçit sesa është tash e lëre më që s’mundet të krahasohet gjatë kohës së ish-Jugosllavisë”, ka deklaruar Koliqi. 

Kurse autori i këtij hulumtimi, Shkelzen Gashi, ka thënë se Akademia nuk ka asnjë projekt të rëndësishëm për vendin. Ai tha se shumica e librave të botuara nga Akademia javë vetëm ribotime dhe shumica prej tyre vetëm në gjuhën shqipe. 

Nexhat Daci, plagjiator

Gashi po ashtu ka thënë se në bazë të hulumtimeve kryetari Akademisë, Nexhat Daci, ka bërë plagjiaturë dhe shtoi se kjo Akademi ka pasur vetëm katër projekte madhore, ku dy prej tyre kanë dështuar.

“Shumica dërmuese e librave që i ka botuar Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës janë ribotime dhe shumica prej tyre janë veç në gjuhën shqipe… Krejt i kanë vetëm katër projekte të mëdha, dy prej tyre kanë dështuar, dy i kanë realizuar, njëra është një monografi për Kosovën, që është përmbledhje e shkrimeve të mëhershme të anëtarëve të Akademisë. Dy të tjerat që kanë dështuar janë: Korpusi për gjuhën shqipe dhe Këshilli akademik për gjuhën shqipe”, ka theksuar Gashi.

Më tej ai ka thënë se është shqetësuese sesi pagat e larta prej 1300 deri 1500 euro nuk arsyetohen në Akademi.

Ndërsa për vlerësimin e Akademisë se më mirë ka qenë në kohën e pushtetit të Slobodan Milosheviçit ka reaguar anëtarja e Komisionit për Arsim, Albulena Balaj Halimaj.

“Ajo që shumë më shqetësoi dhe me shumë dhembje e dëgjova kur e theksuat, që Akademia e Shkencave ka qenë shumë më mirë në kohën e Milosheviçit dhe në ish-Jugosllavi. Mendoj se nuk duhet ta ketë këtë qasje, sepse është pak e rëndë të thuhet në Kuvendin e Kosovës dhe u ndjeva keq”, është shprehur deputetja Balaj-Halimaj.

Ndërsa kryetari i Komisionit, Ismajl Kurteshi, ka thënë se për shkeljet e mundshme në Akademi shumë shpejt do të ftohen drejtuesit e Akademisë për raportim në Parlament.

“Do t’i propozoj Komisionit që ftesën t’ua dërgojmë menjëherë, por brenda muajit ata (ASHAK) duhet të vijnë, kështu që mendoj se brenda një muaji ose më së voni deri më 10 nëntor ne do t’i ftojmë përfaqësuesit e Akademisë dhe ata janë të obliguar të vijnë dhe të raportojnë, ku do t’i shtrojmë shumë çështje, të cilat kanë dalë nga të gjeturat e juaja”, ka deklaruar Kurteshi

UÇK-ja mbrohet edhe me ligj

Në mbledhjen e djeshme të Komisionit për Arsim është shqyrtuar në parim edhe Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Anëtarët e këtij komisioni kanë thënë se kategoria e luftëtarëve të UÇK-së është pothuajse e shenjtë dhe duhet bërë një ligj adekuat për ta.

Kryetari i këtij komisioni, Ismajl Kurteshi, fillimisht ka pasur vërejte në projektligj për disa mangësi, por uron që të bëhet një ligj i mirë për një kategori të veçantë për vlerat e UÇK-së. “Nga ajo që mua më ka rënë në sy janë dy-tri gjëra. Njëra, që nuk është definuar çka është vlerë, nuk është dhënë ndonjë definicion se çka është vlerë e UÇK-së. Në krejt ligjin nuk e kam vërejtur një gjë të tillë. Një çështje tjetër që kam pritur ta shoh brenda ligjit është që ta kemi një institucion të caktuar i cili i mbron vlerat. Nuk e di kush i mbron vlerat. Është mirë që më në fund po vjen një ligj i tillë për një kategori të veçantë”, theksoi Kurteshi.

Kurse deputeti Fadil Beka, i cili është pjesë e deputetëve iniciues të këtij projektligji, ka thënë se kjo nismë ligjore ka ardhur prej kryetarit të Kuvendit. “Si çështje kryesore përcakton masat lidhur me mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët me sakrificën, angazhimin dhe kontributin e tyre të çmuar në luftën çlirimtare të Kosovës ishin faktorë vendimtarë për sjelljen e lirisë dhe të pavarësisë për popullin e Kosovës. Ky projektligj e përcakton edhe obligimin institucional dhe qytetar për mbrojtën e vlerave të luftës”, ka thënë Beka.