Kuvendi i “harron” seancat

Aktuale October 09, 2018 - 07:56
Ka tri javë që Kuvendi i Kosovën nuk mban seanca
Image

Kanë kaluar gati tri javë prejse është mbajtur seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës, ndërsa ende nuk dihet se kur do të mbahet seanca e radhës. Ndërkohë deri më tani Kuvendi ka përmbushur vetëm 27% të agjendës legjislative, 46 ligje nga 169 të planifikuara për këtë vit. Monitoruesit e punës së Kuvendit konsiderojnë se kjo legjislaturë është shumë e përçarë dhe pa tendenca bashkëpunimi në mes të grupeve parlamentare, gjë që ndikon në mosfunksionalizimin e institucionit më të lartë përfaqësues në vend. Përderisa partitë opozitare si fajtor për bllokimin e Parlamentit e shohin koalicionin qeverisës, pushteti thotë se partitë opozitare po e defunksionalizojnë atë, shkruan sot gazeta "Zëri". 

LEXO EDHE: Thaçi kërcënon Haradinajn me zgjedhje

Reçica: Kjo legjislaturë ka qenë e suksesshme

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ilmi Reçica, konsideron se kjo legjislaturë ka qenë mjaft e suksesshme.

“Kuvendi i Kosovës në bazë të vlerësimeve që i bën administrata, ka pasur një punë të suksesshme dhe në bazë të miratimit të projektligjeve dhe në bazë të vendimeve që i ka shqyrtuar të agjencive të pavarura nuk është se Kuvendi nuk ka qenë i suksesshëm në punën e vet dhe duke pasur parasysh që koalicioni qeverisës ka deputetë aq sa për t’i kaluar ligjet dhe për t’i votuar raportet e agjencive”, ka deklaruar Reçica.

Ai ka thënë që është përgjegjësi e Kryesisë së Kuvendit të thërrasë seancë, ndërsa ka theksuar se në seancën e fundit plenare kanë kaluar projektligje të rëndësishme për vendin.

“Dihet saktësisht se Kryesia e Kuvendit të Kosovës e thërret seancën dhe në kuadër të kësaj në seancën e fundit kemi pasur një seancë të suksesshme sepse i kemi miratuar disa marrëveshje ndërshtetërore që kanë të bëjnë me interes të qytetarëve dhe kemi votuar një pjesë të projektligjeve që janë shndërruar në ligje”, ka thënë ai.
Ai mes tjerash ka thënë se duhet të kihet parasysh që për shkak të dy debateve dhe një vendimi të Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me dialogun me Serbinë, ka pasur mosmarrëveshje në mes të pozitës dhe opozitës brenda Kuvendit të Kosovës dhe kjo është një nga arsyet se pse kjo është zvarritur deri më tash.

Rugova: Kosova në krizë institucionale, Kuvendi i bllokuar

Kurse deputeti nga partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Naser Rugova, ka thënë që qeveria “Haradinaj” është më e dobëta deri më tani dhe për këtë arsye edhe Kuvendi i Kosovës është bllokuar.

“Ky koalicion qeverisës ka ardhur në pushtet pas një periudhe kohore më tepër se tre muaj dhe atëherë u detyrua që ta presë Listën Serbe të vijë nga Beogradi dhe t’ua votojë këtë Qeveri, e cila është më e dobëta në këto dekadat e fundit pas çlirimit të Kosovës. Kuvendi në legjislaturën e gjashtë i ka performancat më të dobëta qoftë nga statistikat e punës dhe qoftë nga obligimet që i kemi konform Kushtetutës dhe Rregullores së Punës së Kuvendit”, është shprehur Rugova.
Ai për “Zërin” ka thënë që përpos organit më të lartë ligjvënës në vend edhe institucionet tjera të vendit janë në krizë.

“Kuvendi aktualisht është i bllokuar, prandaj vendi ka hyrë në një krizë institucionale dhe ky koalicion qeverisës e ka të qartë se nuk i ka numrat në Kuvend që të procedojë ligje dhe aspekte të tjera, të cilat lidhen me punën e Kuvendit dhe janë jashtëzakonisht të rëndësishme jo vetëm për Qeverinë, por edhe për shtetin dhe për cilësinë e jetës së qytetarëve të Kosovës. Kjo mospunë e Kuvendit ose ky bllokim total i institucionit më të lartë legjislativ të vendit tregon që zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja parlamentare”, ka theksuar ai.
Ai mes tjerash ka thënë që jo vetëm Parlamenti, por edhe institucionet e tjera në vend do të dilnin nga kriza me zgjedhjet e reja parlamentare.

LVV: Koalicioni PAN ka qëllim vetëm plotësimin e agjendave personale

Arbërie Nagavci, nga Lëvizja Vetëvendosje, për “Zërin” ka thënë se Kuvendi i Kosovës po qëndron i bllokuar me faj të koalicionit qeverisës, i cili e ka për qëllim vetëm shterjen e agjendave personale, por jo edhe interesin shtetëror.

“Tashmë është e qartë se nuk është e mundur që Kuvendi i Kosovës ta bëjë një punë profesionale. Koalicioni qeverisës po mundohet vetëm t’i shtyjë agjendat e ngushta partiake dhe duke qenë e qartë se nuk e ka as minimumin e nevojshëm të numrave për të shtyrë përpara çështje ata po përdorin të gjitha rrugët që nuk janë as të ndershme e as korrekte për të bllokuar punën e Kuvendit”, ka thënë Nagavci.
Ajo ka theksuar se partia e saj është duke punuar që sa më parë të rrëzojë qeverinë “Haradinaj”.
Ndërsa Natyra Kuqi, zëdhënëse e PSD-së, ka thënë se sjellja e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, është papërgjegjësi e tij dhe bllokun punën e saj. “Përgjigjja për këtë duhet të kërkohet nga mazhoranca, më konkretisht nga kryeparlamentari Kadri Veseli. Sjellja e tillë është papërgjegjësi, e cila natyrisht që e bllokon punën e Kuvendit dhe i mban peng shumë procese të rëndësishme për vendin. Dhe kjo për ne është shumë shqetësuese për shkak se partitë në pushtet po i vendosin interesat partiake përpara atyre shtetërore”, ka theksuar ajo për “Zërin”.

KDI: Kuvendi është bllokuar politikisht

Hulumtuesi nga KDI-ja Artan Murati ka thënë për “Zërin” që Kuvendi i Kosovës është jofunksional dhe politikisht i bllokuar.

“Kuvendi i Kosovës është larg nga funksionimi ideal, madje edhe atij normal. Pavarësisht faktit se gjatë muajit të kaluar u miratuan disa ligje e marrëveshje ndërkombëtare, megjithatë Kuvendi vazhdon të mbetet jofunksional e politikisht i bllokuar. Tash e tri javë nuk ka madje as përpjekje për të thirrur seancë plenare. Kuvendi është i fragmentuar, pa tendenca bashkëpunimi mes grupeve parlamentare, gjë që direkt ndikon në mosfunksionalizimin e institucionit më të lartë në vend”, ka vlerësuar Murati.
Sipas tij, koalicioni qeverisës nuk e ka fuqinë që ta mbajë funksional Kuvendin e Kosovës, për shkak të mungesës së numrave në Kuvend.

“Tanimë është fakt i ditur se koalicioni qeverisës nuk mund ta mbajë Kuvendin funksional pa bashkëpunim me opozitën, pasi nuk ka numra të nevojshëm për kuorum. Në anën tjetër edhe opozita nuk është unike në qëndrimet e veta, pasi PSD-ja e Alternativa nuk janë duke e përfillur bojkotin që po ia bëjnë Kuvendit LDK-ja e LVV-ja”, ka theksuar ai.
Ndërkohë Murati ka thënë që përpos seancave parlamentare, bllokadat po ndodhin edhe në komisionet parlamentare.

“Megjithatë, edhe në mekanizmat ku opozita po merr pjesë, pra në komisionet parlamentare, nuk po arrihet të kryhet punë si duhet. Shpesh mbledhjet po dështojnë shkaku i mungesës së kuorumit, që është papërgjegjësi totale e deputetëve për kryerjen e detyrave të tyre. Pra, përveç bllokimit opozitar për seanca plenare, mungesat e deputetëve në përgjithësi në Kuvend po e pamundësojnë zhvillimin normal të punës në Parlament”, ka përfunduar ai.