Pas lirimit nga autoritetet serbe, mërgimtari kosovar mbërrin në banesën e tij në Gjermani

Aktuale October 08, 2018 - 22:55
Lajmet e fundit nga vendi

Mërgimtari Ibrahim Matoshi, i cili sot është liruar nga autoritetet serbe, ka arritur në banesën e tij në Gjermani.

Këtë e kanë konfirmuar familjarët e Ibrahim Matoshit, për KALLXO.com.

Ibrahim Matoshi ishte arrestuar nga Policia e Serbisë para rreth 2 muajve duke e kaluar kufirin Kosovë-Serbi.

Ai ishte arrestuar më 13 gusht nga autoritetet serbe në pikën kufitare “Dheu i Bardhë” derisa po hynte në territorin serb nga Kosova.

Lirimin e tij nga autoritetet serbe e ka konfirmuar ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.

“Sapo mora informacionin nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës se avokati i z. Ibrahim Matoshi i ka informuar për lirimin e tij. Ne do të presim për konfirmimin përfundimtar zyrtar dhe kthimin e z. Matoshi në territorin e Kosovës, ashtu që familjarët e tij, dhe të gjithë ata që janë marrë me këtë rast aktivisht, të ndjejmë lehtësim emocional e shpirtëror”, ka shkruar Pacolli.

Ai kishte ardhur në Kosovë për pushime nëpër të njëjtën rrugë dhe pikë kufitare dhe nuk ishte arrestuar.

Matoshi ka nënshtetësi gjermane dhe me profesion është stomatolog.