Rezolutat e përçarjes

Aktuale October 08, 2018 - 07:52
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Partitë në pushtet dhe ato në opozitë assesi nuk po pajtohen me rezolutat që po i propozon tabori tjetër. Kështu, as rezoluta e re e hartuar në fundjavë nga liderët e koalicionit qeverisës për dialogun me Serbinë nuk e ka përkrahjen e partive opozitare, të cilat e vlerësojnë si të papranueshme atë rezolutë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

As rezoluta e re mbi dialogun, e hartuar nga liderët e koalicionit qeverisës para dy ditësh, nuk pritet t’i bëjë bashkë pushtetin e opozitën rreth fazës finale të negociatave me Serbinë.

LEXO EDHE: Hoxha: Vendimi për heqjen e vizave, në fillim të dhjetorit

Në propozim-rezolutën e pushtetit theksohet qëndrimi i Kuvendit kundër prekjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, gjithashtu kërkohet mandatimi i ekipit negociator i kryesuar nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.

Megjithatë, spektri politik në Kosovë do të vazhdojë të jetë i përçarë edhe më tej sa i përket dialogut me Serbinë.

Përfaqësuesit e tri partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje e Partisë Socialdemokrate, konsiderojnë se rezoluta në fjalë është e mangët dhe si e tillë nuk duhet mbështetur në asnjë rrethanë.

Sipas tyre, nismat e tilla, vetëm sa për t’i dërguar ftesë për unitet opozitës, janë të dëmshme dhe nuk i sjellin kurrfarë dobie Republikës së Kosovës.

Por, pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e pozitës mbeten optimistë se kjo rezolutë do t’i bëjë bashkë të dy taborët, pozitë e opozitë, sa u përket bisedimeve Kosovë - Serbi.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se arritja e konsensusit të gjerë nacional me anë të kësaj rezolute është thuajse i pamundur.

Beqiri: Zgjedhjet, zgjidhja e vetme

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se ky subjekt nuk e mbështet rezolutën e hartuar nga liderët e partive në pushtet.

“Qëndrimi ynë mbetet i njëjtë, nuk e përkrahim Rezolutën e propozuar nga koalicioni qeverisës i pakicës. Në esencë është e njëjta rezolutë si ajo më herët e Qeverisë, me ca lojë fjalësh”, ka deklaruar Beqiri për “Zërin”.  

Sipas tij, Kosova nuk duhet të ngutet në procesin e dialogut me Serbinë, ndonëse ky proces duhet të vazhdojë.

“Ne jemi për dialog, por jo me këtë nguti, me këta që aktualisht po qeverisin, ata nuk kanë legjitimitet politik, qytetar e institucional”, ka theksuar ai, teksa ka vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja e vetme në rrethanat e tanishme.

Kurteshi: Nismat e tilla, të dëmshme dhe të padobishme

Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka vlerësuar se hartimi i rezolutës për dialog do të duhej të bëhej në bashkëpunim me gjithë spektrin politik, jo vetëm nga ana e pozitës.

“Nëse pozita e ka seriozisht ftesën për unitet duhet ta thërrasë opozitën që ta hartojnë bashkë rezolutën. Përndryshe, ne kemi bërë plot rezoluta për të njëjtën çështje, por nuk jemi ulur asnjëherë bashkë. I takon pozitës që ta ftojë tërë spektrin politik shqiptar në Kuvendin e Kosovës, që bashkërisht ta hartojnë një dokument, mbi të cilin zhvillohen bisedimet, në mënyrë që të shkojmë unikë”, ka deklaruar ai.

Nismat e tilla, sipas Kurteshit, janë krejtësisht të dëmshme dhe nuk i sjellin asnjë të mirë vendit. Me anë të këtyre ftesave për miratim të rezolutave tashmë të hartuara, sipas tij, pozita po përpiqet që ta sjellë opozitën para aktit të kryer.

“Mirëpo pozita duhet të jetë e vetëdijshme se një mundësi të tillë nuk e ka, sepse i mungojnë votat dhe loja që po e bën, sidomos kryeparlamentari me ftesa të njëpasnjëshme për unitet, por asnjëherë nuk po ulet që ta gjejë rrugën se si duhet të bëhemi unikë”, ka shtuar ai.

PSD: Propozim-rezoluta e koalicionit, për keqardhje

Ndërkaq edhe Partia Socialdemokrate (PSD) ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se  nuk do ta mbështesë rezolutën e hartuar nga koalicioni qeverisës.

“Propozim-rezoluta e djeshme e Qeverisë nuk dallon fare nga qëndrimi i mëhershëm i saj rreth dialogut. Kjo është për keqardhje. Rrjedhimisht, nuk e mbështesim”, thuhet në njoftimin e PSD-së.

Në kumtesën e lëshuar gjatë së dielës thuhet se rezoluta që ishte propozuar nga PSD-ja është më funksionale sesa kjo që tashmë është propozuar nga partitë në pushtet.

“Tash e sa kohë Partia Socialdemokrate përpiqet të ofrojë rrugëdalje nga paraliza politike karshi procesit të dialogut. Për këtë arsye e ka deponuar propozim-rezolutën e vet dy muaj më herët. Rezoluta e PSD-së është më funksionale, më gjithëpërfshirëse dhe përqendrohet në procesin demokratik të ndërtimit të platformës negociatore të përzgjedhjes së ekipit negociator dhe të mbikëqyrjes parlamentare të mbarë procesit”, potencohet më tej.

Pozita, optimiste për arritjen e konsensusit

Pavarësisht këtyre, shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, është shprehur optimist se do të arrihet një dakordim mes spektrit politik sa i përket kësaj draft-rezolute.

“Gjithsesi që e mbështesim dhe mendoj që tani as opozita për një rezolutë të tillë për asnjë arsye nuk do të thotë jo”, ka thënë Sherifi për “Zërin”.

Sherifi më tutje ka thënë se kjo rezolutë mund të shfrytëzohet edhe si fazë për arritjen e një ujdie të gjerë rreth procesit të negociatave Kosovë - Serbi.

“Besoj shumë që do të mund të shfrytëzohet si fazë për të krijuar një konsensus politik të shumëpritur në vend për sa i përket çështjes së dialogut”, ka thënë më tutje ai.

Haxholli: Dialogimi pa unitet, i dëmshëm për vendin

E Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në kuadër të projektit për dialog, ka vlerësuar se kjo rezolutë nuk do të mbështetet nga opozita dhe një mospranim i tillë, sipas saj, është më se i pritshëm.

“Duke qenë se teksti i rezolutës përmban elementet të cilat deri më tani opozita i ka kundërshtuar, është normale që ata nuk do ta përkrahin këtë rezolutë. Ata nuk pajtohen as për qasjen ndaj dialogut dhe as për ekipin që është formuar për ta udhëhequr këtë proces”, është shprehur ajo.  

Por edhe në rast se një rezolutë e tillë kalon në Kuvendin e Kosovës, siç Haxholli është shprehur, do të kalojë vetëm me votat e partive në koalicion, por jo me votat e opozitës.

“Mendoj që nëse kjo rezolutë kalon në Kuvend, do të kalojë vetëm me votat e koalicionit qeverisës. Por para votimit në sallë duhet të sigurohet kuorumi prej 61 deputetëve. Por nëse rezoluta merr vetëm mbështetjen e koalicionit qeverisës, atëherë Kosova vazhdon dialogun pa unitet të spektrit politik, gjë që është e dëmshme për vendin”, ka nënvizuar Haxholli.