LDK e VV kategorikisht kundër, PSD-ja pa qëndrim për Draft-Rezolutën për Dialogun

Aktuale October 07, 2018 - 10:58
DETAJET

Liderët e koalicionit qeverisës pasi u mblodhën në kabinetin e kryeparlamentarit Kadri Veseli, propozuan një Draft-Rezolutë për Dialogun, e cila pritet t’i propozohet për harmonizim edhe opozitës.

Por për këtë Draft-Rezolutë të propozuar, nuk kanë ende qëndrim Partia Social Demokrate.

 

Zëdhënësi i PSD-së, Shkodran Hoti tha shkurt për lajmi.net se ditën e sotme do të dalin me qëndrim si parti, pasi që ende e dinë se çfarë përmban Draft-Rezoluta.

Ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, sekretari i Përgjithshëm Ismet Beqiri tha se LDK nuk sheh ndonjë ndryshim nga zgjidhjet tjera të propozuara nga koalicioni qeverisës, edhe pse nuk është analizuar Draft-Rezoluta nga e gjithë partia.

“Ne si LDK nuk shohim asnjë ndryshim nga ato që kanë qenë më herët, mund të ketë ndonjë lojë fjalësh në draftin e ri. Ne e  kemi pa në portale këtë Draft-Rezolutë, nuk e kemi analizuar me partinë por unë besoj thellë se asgjë s’ka ndryshuar nga ajo që është propozuar edhe më herët. Nuk kemi asnjë arsye ta mbështesim një rezolutë të tillë të koalicionit qeverisës, që në esencë nuk ia ndalon zotit Thaçi të flasë për kufijtë, sidoqoftë e kemi thënë se ne nuk jemi të gatshëm të votojmë për asnjë ekip negociator”, tha ai.

Ndërsa si reagim ndaj thirrjes së Thaçit për mbështetje të kësaj Draft-Rezolute, Beqiri tha se njëra nga arsyet që ata nuk duan t’i bashkohen kurrfarë ekipi negociator, është edhe ajo që ekipi do të udhëhiqet nga presidenti.

Në anën tjeter, Draft-Rezoluta për Dialogun e propozuar pas takimit me ftesë nga kryeparlamentari Veseli, nuk do të gjejë përkrahje nga Lëvizja Vetëvendosje, kështu tha për lajmi.net deputetja Arbërie Nagavci.

Duke thënë se nuk e ka edhe shumë të qartë se çfarë saktësisht përmban kjo Draftë-Rezolutë, ajo tregoi disa kushte përpara marrjes së hapit për hartimin e një rezolute.

“Duhet lejuar së pari mbajtja e seancës së propozuar nga ne, duhet të bëhet një vlerësim i marrëveshjeve paraprake, dhe pastaj duhet të ulemi të gjithë të punojmë e jo të përgatitet diçka e të prezantohet si diçka e suksesshme”, tha ajo.

Theksojmë se, Draft-Rezoluta përmban 6 pika, në të cilat theksohen parimet kryesore të pjesëmarrjes së Kosovës në dialogun me Serbinë që do të çonte drejt një marrëveshje për normalizimin e raporteve. Kjo marrëveshje, veç tjerash pritet që t’u hapë perspektivën integruese të dyja palëve.