Pacolli: Nisma për nxjerrjen e rezolutës fuqizon pozitën dialoguese të Kosovës

Aktuale October 07, 2018 - 07:49
DETAJET

Zëvendëskryeministri I Kosovës njëherësh edhe ministri I Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli përmes një postimi në “Facebook”, ka deklaruar se nisma për nxjerrjen e rezolutës për dialogun Kosovë-Serbi i ka hapur rrugë fuqizimit të procesit dialogues të Kosovës, për miratimin e një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, raporton “zëri.info”.

Pacolli ka komentuar edhe përmbajtjen e rezolutës dhe për bashkimin e spektrit politik me një rezolutë të tillë.

LEXO EDHE: Hoxhaj: Draft-Rezoluta e sotme i jep drejtim dialogut me Serbinë

Postimi i Pacollit në Facebook:

Me nismën për nxjerrjen e rezolutës për dialogun me Serbi, subjektet politike pjesë e koalicionit qeverisës, i kanë hapur rrugë fuqizimit të pozitës dialoguese të Republikës së Kosovës në funksion të arritjes së Marrëveshjes ligjërisht ndërkombtarisht obligative në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Përmbajtja e rezolutës krijon mundësi për një strukturë përfaqësuese konsensuale, në përbërje të gjithë spektrit politik shumicë.  Me nxjerrje të rezolutës, partitë hezituese në lidhje me dialogun dhe debatin rreth tij, arrijnë synimin e përbashkët, pozicionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës si epiqendër e filtrimit dhe aprovimit të Marrëveshjes ligjërisht ndërkombtarisht obligative.

Rezoluta lartëson frymën kushtetuese dhe vendosmërinë e orientimit tonë perëndimor, strategjik, në partneritet me shtete të fuqishme dhe organizata ndërkombëtare. Eliminimi i mundësisë së krijimit të një shkalle të ndërmjetme të pushtetit, dhe i mundësisë së prekjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës, pozicionon Kosovën në çfarëdo formati dhe konteksti dialogues.

Është koha të projektojmë energji të re, dhe nga debati i brendshëm rreth dialogut, të dalim më të fuqishëm se kurdoherë.  Koha po ikë, rezoluta pret aprovim sa më shpejtë. /ZËRI