Shala: Opozita s’ka kërkuar vota për rrëzimin e Qeverisë

Aktuale October 06, 2018 - 22:14
DETAJET

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës Socialdemokrate , Haxhi Shala në një intervistë dhënë gazetës “Zëri”, ka thënë se opozita e vendit nuk ka kërkuar numra për rrëzimin e qeverisë aktuale në vend, raporton “zëri.info”.

Shala ka pohuar se në drejtim të Nismës Socialdemokrate nuk ka ardhur asnjë kërkesë zyrtare nga partitë opozitare në vend për mbledhjen e numrave për rrëzim të qeverisë.

LEXO EDHE: Shala: Nisma nuk i përkrah “lojërat e rrezikshme” të Thaçit


Zëri: Në anën tjetër opozita e vendit është duke u përgatitur që t’i mbledhë numrat e nevojshëm për ngritjen e mocionit për rrëzim të qeverisë “Haradinaj”. A ka mundësi që partia juaj t’ia sigurojë opozitës numrat për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”?

Shala: Nuk e di ku ka kërkuar opozita numra për rrëzim të Qeverisë, sepse te ne nuk ka ardhur asgjë zyrtare nga Lidhja Demokratike e Kosovës ose nga partitë tjera opozitare të vendit, që do të dëshmonte se është një iniciativë serioze në mbledhjen e numrave. Para se të kërkohen votat nga ne ose nënshkrimet tona për një gjë të tillë është një rrugë tjetër se duhet të bisedojnë liderët, të rregullohet një shkresë nga të gjitha partitë politike, pastaj të bisedohet individualisht edhe me deputetë, sepse ka deputetë brenda subjekteve politike që pavarësisht votës së partisë si tërësi ai mund të jetë kundër, sepse është votë e lirë për rrëzim të Qeverisë. Unë nuk kam parë një iniciativë serioze, vetëm kam dëgjuar nëpërmes lajmeve se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kërkojnë mocion, por asgjë zyrtare nuk kemi deri në këtë kohë.

Zëri: Nëse ju vjen kërkesa zyrtare, a jeni të gatshëm që t’i bashkëngjiteni iniciativës për rrëzim të qeverisë “Haradinaj”?

Shala: Kur je pjesë e një subjekti politik atëherë aty ka organe, kryesi, këshill drejtues dhe duhet të diskutohet brenda partisë për vendimin që do të merret. Cilido vendim që të merret, ashtu edhe do të veproj. /ZERI