NATO-ja dhe SHBA-ja e përkrahin transformimin e FSK-së

Aktuale October 06, 2018 - 18:52
DETAJET

Deputeti dhe kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Haxhi Shala në një intervistë për gazetën “Zëri”, ka thënë se transformimi i FSK-së në ushtri ka përkrahjen e NATO-së dhe SHBA-së, raporton “zëri.info”.

Sipas Shalës përkrahja nga këta dy aleatë strategjikë ka qenë qysh nga fillimi dhe se ajo që është arritur deri më tani është falë tyre.

LEXO EDHE: Ushtria ka mandat të dalë edhe në veri

Zëri: Sa parashihet të jetë periudha e transformimit prej FSK-së në ushtri të Kosovës?

Shala: Pas kompletimit të legjislacionit, Forca e Sigurisë së Kosovës, Ministria e Mbrojtjes duhet ta bëjnë një plan të transformimit, duke u bazuar në mundësitë buxhetore të vendit. Mbetet tash që Qeveria e Kosovës të shohë se sa ka mundësi të financojë formimin e ushtrisë dhe në bazë të financave që i ndan ajo ndahet në vite dhe besoj që për 10 vjet Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë e kompletuar. FSK-ja është edhe sot operative, por për të pasur standarde të NATO-s kostoja është shumë e lartë.

LEXO EDHE: Shala: Ushtria në nëntor, e votojnë mbi 100 deputetë

Zëri: A ekziston edhe përkrahja e NATO-s dhe e SHBA-së për transformimin e FSK-së nëpërmjet ligjit e jo nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, siç kishin kërkuar më herët?

Shala: Forca e Sigurisë së Kosovës është e përkrahur qysh nga dita e parë nga partnerët tanë ndërkombëtarë, ata e kanë krijuar deri këtu, ata e kanë mundësuar trajnimin dhe shkollimin e gjithë atij stafi, i cili sot mund të krenohet. Pra stafin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, sepse ata janë të barabartë me oficerët e të gjitha shteteve më të zhvilluara në tavolinën ku diskutohen planet e ushtrisë, pra pse të mos e përkrahin ata kur e kanë edhe si fëmijë të vet FSK-në dhe u nevojitet edhe atyre. /ZËRI