Thaçi thotë se FSK është gati për transformim por nuk jep datë

Aktuale October 06, 2018 - 17:10
DETAJET

Presidenti I vendit, Hashim Thaçi në një konferencë për media ka pohuar se Forca e Sigurisë së Kosovës, është e gatshme për transformim në ushtri mirëpo nuk ka dhënë një datë të saktë se kur mund të ndodh një gjë e tillë, raporton “Zëri.info”.

Këto deklarata Thaçi i ka bërë pas takimit me kryesuesin e Komitetit Ushtarak të NATO-së të cilin e ka informuar për hapat që Kosova ka ndërmarrë në drejtim të transformimit të FSK-së në ushtri.

“Unë sapo përfundova një takim me kryesuesin e Komitetit Ushtarak të NATO-së me të cilin diskutuam hapur për procesin e transformimit të FSK-së në ushtri të Republikës së Kosovës. Unë theksova edhe njëherë që Kosova I ka kryer  të gjitha përgatitjet e nevojshme duke përfshirë një fushatë të gjatë dhe gjithëpërfshirëse të informimit dhe të ndërgjegjësimit lidhur me këtë proces”, ka thënë ai.

LEXO EDHE: Thaçi: Unë e kam mirë me çdo lider politik në vend

Sipas presidentit në Kosovë spektri politik, institucional e qytetar është unik për sa i përket çështjes së ushtrisë, duke shtuar se transformimi do të bëhet në bashkëpunim me aleatët strategjikë.

“Theksova shumë qartë se Kosova, është unik në rrafshin institucional, politik dhe qytetarë për këtë angazhim madhor të konsolidimit të shtetit.  Tani jemi në hapat e fundit të këtij procesi të transformimit dhe këta hapa deri më tani do të bëhen në mënyrë graduale, të koordinuar me NATO-në dhe SHBA si me gjithë partnerët strategjikë”, ka përfunduar ai sa i përket çështjes së ushtrisë. /ZËRI