Raportet, të mangëta për dëbimin e gylenistëve

Aktuale October 05, 2018 - 08:08
Lexo detajet
Image

Ndonëse me vonesë të gjitha institucionet e përfshira në rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq kanë dorëzuar informacionet e tyre, të cilat janë vlerësuar të mangëta nga anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar. Megjithatë sipas tyre ky Komision do të dalë me një raport të plotë dhe se do të bëhen të ditur përgjegjësit për këtë dëbim të gjashtë shtetasve turqve, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ndërsa njohësit e çështjeve të drejtësisë thonë se mungon vullneti i institucioneve për ta zbardhur të vërtetën.

Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për Dëbimin e Gjashtë Shtetasve Turq, Xhelal Sveçla, ka thënë për gazetën “Zëri” se pas mbledhjes së informatave shumë shpejt pritet që Komisioni të fillojë me intervistimet e personave të përfshirë në këtë çështje.

“Përgjigje kanë kthyer të gjitha institucionet të cilave u jemi drejtuar, disa kanë kthyer përgjigje me vonesë, por pas insistimit tonë. Disa institucione kanë kthyer përgjigje, të cilat nuk ofrojnë njohuri për rastin. Komisioni është duke i shqyrtuar të gjitha materialet të cilat kanë mbërritur dhe shumë shpejt do të fillojmë me intervistimin e akteve të asaj ngjarjeje”, ka thënë ai.

LEXO EDHE: Opozita thotë se Qeveria po i frikësohet dështimit për vizat

Sipas tij, institucionet kyçe janë deklaruar se nuk kanë informata për këtë rast, mirëpo ai u shpreh optimist se deri më datën 15 nëntor raporti do të dorëzohet i plotë.

“Kryeministria, Presidenca, Ministria e Punëve të Jashtme kanë dorëzuar përgjigjet ku kanë treguar se nuk kanë qenë të kyçura dhe rrjedhimisht nuk kanë informata. Ne pritet që në ditët në vijim t’i analizojmë. Jam i bindur që në fund do të dalim me raport që do t’i tregojë të gjitha lëshimet, shkeljet e Kushtetutës së Kosovës me këtë veprim të 29 marsit. 15 nëntori është afati i fundit për dorëzim. Jemi pak me vonesë për shkak të përgjigjeve të institucioneve, mirëpo do të mundohemi që me kohë ta dorëzojmë raportin në Kuvend”, ka potencuar ai. 

Edhe anëtari i këtij Komisioni, Hajdar Beqa, ka thënë se pas mbledhjes së fakteve do të intervistojnë zyrtarët përgjegjës për dëbimin e turqve dhe se në fund do të kompletohet një raport që do t’i dorëzohet Kuvendit.

“Kemi grumbulluar të gjitha materialet të cilat janë marrë nga institucionet e që janë marrë me dëbimin e turqve. Tash pritet intervistimi i atyre personave që janë marrë me kompletimin e dokumentacionit të gjashtë shtetasve turq dhe besoj që në fund do të jetë një raport i kompletuar me të gjitha të gjeturat që do t’i hasim ne si deputetë dhe do të kërkohet përgjegjësia e largimi të njerëzve nëse janë shkelur ligjet dhe nëse është vepruar në kundërshtim me ligjin”, ka thënë Beqa.

Demhasaj: Dëbimi i gylenistëve, një ngjarje që nuk do të zbardhet

Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se institucionet janë të obliguara t’i ofrojnë informacionet për këtë rast.

“Ligjërisht të gjitha institucionet që kanë qenë të përfshira në procesin e dëbimit të gylenistëve janë të obliguara t’i japin informacione Komisionit Parlamentar, i cili është krijuar për hetimin e kësaj çështjeje. Në rast se ata refuzojnë të japin informacione ata bëjnë shkelje ligjore, atëherë duhet të angazhohet Prokuroria t’i hetojë pikërisht këta njerëz, të cilët kanë refuzuar bashkëpunimin”, ka thënë ai.

Demhasaj ka përmendur praktikat nga e kaluara ku edhe ka konstatuar se nuk pret që ky Komision të arrijë të zbardhë skenarin e asaj që ka ndodhur më datën 29 mars të këtij viti.

“Edhe në të kaluarën janë ngritur komisione për hetime dhe asgjë të vërtetë nuk kanë nxjerrë në shesh, kështu që as kësaj here nuk besojmë që ky Komision do të arrijë t’i verifikojë të gjitha për këtë dëbim. Nuk do të nxjerrë të vërtetë në shesh, por do të mbetet një terr ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën me çështje të ngjashme”, ka thënë ai. /ZERI

 

 

Miftaraj: Republika e Kosovës ka dështuar në rastin e gylenistëve

 

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë ende publiku kosovar nuk ka informacione për atë sesi ka ndodhur ky dëbim. “Pavarësisht faktit se kanë kaluar afërisht pesë muaj nga dëbimi i kundërligjshëm i gjashtë shtetasve turq dhe afërsisht katër muaj nga themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me ndriçimin e rastit të dëbimit të shtetasve turq, publiku në Kosovë nuk ka informacione lidhur me procedurat dhe me rolin e institucioneve e të individëve të caktuar. Fatkeqësisht, Republika e Kosovës ka dështuar në këtë rast”, ka thënë ai.

Tutje Miftaraj ka thënë se ka një mori arsyesh të cilat dëshmojnë se pse mungon vullneti për t’u marrë me këtë çështje. “Mënyra se si institucionet kompetente të Republikës së Kosovës e kanë trajtuar këtë rast, shkelja e një mori ligjesh dhe konventash ndërkombëtare, reagimi ndërkombëtar lidhur me shkeljet e të drejtave dhe lirive të njeriut janë disa nga arsyet që si duket nuk ka vullnet dhe interes që Komisioni Hetimor Parlamentar t’i ketë informatat dhe të dhënat e nevojshme në mënyrë që të zbardhet e vërteta lidhur me këtë rast”, ka thënë ai.