Opozita thotë se Qeveria po i frikësohet dështimit për vizat

Aktuale October 05, 2018 - 07:58
Lexo detajet
Image

Presidenti Hashim Thaçi dhe përfaqësuesit e Qeverisë nuk e kanë mohuar mundësinë që liberalizimi i vizave të shtyhet deri në vitin 2020. Ata madje kanë thënë se opozita ka qenë destruktive në takimet me zyrtarët e Bashkimit Evropian duke i mohuar reformat e Kosovës. Në anën tjetër, përfaqësuesit e subjekteve opozitare thonë se pushteti po i frikësohet dështimit në procesin e liberalizimit të vizave, prandaj po bën përpjekje që përgjegjësinë për këtë dështim ta hedhë tek opozita, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në “Facebook” ka thënë se kur në vitin 2016 si kryeministër i vendit kërkonte të ratifikohet Marrëveshja e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi si kusht për liberalizim të vizave këta që sot janë në pushtet e kundërshtonin dhe propagandonin rrejshëm se po humbim mbi 8000 hektarë tokë.

LEXO EDHE: Negociatorët “non grata”

“Me mashtrime dhe me politika populliste, atëherë humbëm shansin ta përmbyllim procesin e liberalizimit. Tani, në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, rreziku nga popullizmi i ka kaluar kufijtë e mashtrimeve dhe të primitivizmit tonë. Ekziston frika reale se shtete të veçanta do të hezitojnë të përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u frikësuar nga popullistët, të djathtë e të majtë, në vendet e tyre, derisa të përfundojë procesi i zgjedhjeve në institucionet e BE-së, epilogu i të cilave është vështirë të dihet”, ka shkruar Mustafa. 

Ai më tej ka thënë se tani pushteti po flet për mundësinë që liberalizimi të mos ndodhë deri në vitin 2020, duke u munduar që përgjegjësinë ta gjuajë te opozita.

“Individët, që sot flasin se liberalizimi mund të shtyhet deri në vitin 2020 dhe që mundohen ta hedhin gurin te opozita, e dinë mirë se ku është problemi, por u nevojitet një përbaltje e brendshme për ta arsyetuar veten. Pavarësisht nga kjo, Kosova duhet të bëjë përpjekje maksimale që qytetarët e saj të lirohen nga regjimi i vizave sa më shpejt, të garantojmë se ky vend do të qeveriset mirë e pa korrupsion, se do ta zhvillojmë ekonominë e të hapim vende pune. Të mos ndjellim frikë se të rinjtë tanë do ta braktisin Kosovën e do ta marrin botën në sy”, ka shtuar Mustafa.

Kurse anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane, Ismajl Kurteshi, ka thënë se opozita nuk mund të fajësohet për shtyrjen eventuale të liberalizimit. “Sado që ka përpjekje për ta fajësuar opozitën për dështime, përgjegjësia për keqqeverisje dhe për dështime tjera është e Qeverisë dhe jo e opozitës. Natyrisht që akuzat e pushtetit ndaj opozitës janë të pabazuara, nuk janë të parat dhe sigurisht se nuk kanë për të qenë të fundit, por e vërteta është se ne si opozitë jemi shumë të angazhuar që liberalizimi të ndodhë”, ka deklaruar Kurteshi për gazetën “Zëri”.

Ai më tej ka thënë se në Komisionin për Integrimeve Evropiane janë marrë vesh që në muajt në vijim rendësi të veçantë t’i kushtojnë lobimit për liberalizimin e vizave.

Edhe deputetja e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, ka thënë se përgjegjësi kryesor për dështimin eventual në procesin e liberalizimit të vizave është Qeveria.

“Megjithatë përgjegjësia kryesore gjithmonë është e Qeverisë, e atyre që janë në pushtet, të tjerët mund ta përshpejtojnë ose mund të zvarrisin, mirëpo vetëm për shkurt. Përgjegjëset kryesore janë qeveria aktuale dhe ato të mëhershmet. Opozita nuk ka ndonjë rol të madh në këtë proces. Kriteret që është dashur të përmbushen nga Kuvendi, janë përmbushur. Tani edhe po të dojë të ndikojë opozita nuk mundet, pasi tashmë procesi është në duart e BE-së”, ka deklaruar Pantina.

Në fund ajo ka thënë dëshiron të besojë se liberalizimi do të ndodhë, megjithëse ka shprehur një dozë pesimizmi. /ZERI