Kuçi: Jemi i vetmi subjekt që i kemi dhënë nënshkrimet për rrëzim të Qeverisë

Aktuale October 02, 2018 - 10:30
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Ndonëse vazhdimisht deklarojnë se janë për një bashkëpunim të mirëfilltë për rrëzimin e Qeverisë dhe për ndaljen e presidentit Hashim Thaçi në bërjen e “pazareve” me territore, partitë opozitare nuk po arrijnë dot ta krijojnë një plan për t’i realizuar këto dy synime. LDK-ja, Lëvizja Vetëvendosje dhe PSD-ja ende nuk kanë ndërmarrë asnjë hap sa i përket ngritjes së mocionit për rrëzimin e Qeverisë, ndonëse LDK-ja gjatë tërë kohës po pohon se janë duke punuar për ngritjen e mocionit, shkruan "Zëri". 

Kurse Natyra Kuçi, zëdhënëse e Partisë Socialdemokrate (PSD), ka thënë se ky subjekt ka ndërmarrë veprime konkrete lidhur me rrëzimin e Qeverisë dhe dialogun.

LEXO EDHE: Qeveria 'Haradinaj' nuk ka forcë për të vazhduar mandatin

 “Sa i përket mocionit për rrëzim të Qeverisë, ne jemi i vetmi subjekt opozitar që i kemi dhënë nënshkrimet. Kurse për dialogun ne kemi propozuar rezolutë, e cila kërkon që ky proces ta ketë bartës Kuvendin e Republikës së Kosovës. Përmes saj kemi kërkuar dakordim të forcave politike fillimisht për një platformë shtetërore që duhet të votohet me 2/3 e Kuvendit e më pas edhe ekipi negociator të votohet po më shumicë të kualifikuar”, ka deklaruar ajo për "Zërin".

Kuçi tutje ka thënë se PSD-ja u ka bërë thirrje dy partive të tjera opozitare që të ulen në tavolinë dhe të bisedojnë për një strategji të përbashkët si opozitë, në mënyrë që të merren vesh për veprime konkrete karshi të gjitha çështjeve aktuale.

“Ne e shohim të domosdoshme për funksionim të mirëfilltë si opozitë bashkërendimin. Pra, ulja në një tavolinë dhe diskutimi për një strategji të përbashkët është veprimi adekuat, ku do të mundë të flisnim në mënyrë të detajuar për veprimet në të ardhmen”, ka nënvizuar zëdhënësja e PSD-së gjatë një prononcimi për “Zërin”. /ZERI