Qeveria, drejt vetërrëzimit

Aktuale October 02, 2018 - 07:46
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Opozita për gati një vit ka dështuar që ta rrëzojë qeverinë “Haradinaj” ndonëse kjo e fundit nuk i kishte numrat e nevojshëm në Kuvend. Por, për shkak të problemeve të brendshme të koalicionit qeverisës ekzekutivi ka shumë gjasë që të vetërrëzohet. Dje është raportuar se ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ia ka ofruar dorëheqjen kryeministrit të vendit, ndërsa spekulohet për shkarkimin e së paku edhe të dy ministrave të tjerë të PDK-së, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Gjatë së hënës (dje) është raportuar se ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka ofruar dorëheqjen te kryeministri Ramush Haradinaj dhe te kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli.

Tahiri thuhet se nuk është i kënaqur me zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë, si dhe me ndërhyrjet politike në këtë sektor, por jozyrtarisht mësohet se arsyeja e dorëheqjes është vizita e tij e fundit në Liqenin e Ujmanit të shtunën e kaluar bashkë me presidentin Hashim Thaçi, si dhe me ministrin e Financave Bedri Hamzën.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka deklaruar për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) se nuk e ka përkrahur vizitën e Thaçi te Liqeni i Ujmanit në ditën kur Lëvizja Vetëvendosje kishte organizuar protestë në Prishtinë.

Një vizitë e tillë është shndërruar në “mollë sherri” mes kreut të PDK-së dhe të Kuvendit Kadri Veselit, si dhe të presidentit Hashim Thaçi.

“Do ta kisha përkrahur me qejfin më të madh vizitën në Ujman sikur të ishte në një ditë tjetër. Nëse provokon një Albin Kurt, kjo nuk do të thotë se duhet të biem pre e provokimit të tij, të një manipuluesi sikurse është Albin Kurti”, ka deklaruar dje Veseli për RTK-në.

Përveç Tahirit që ka ofruar dorëheqje, pritet që të shkarkohen edhe së paku dy ministra të tjerë të PDK-së, Bedri Hamza dhe Besim Beqaj, të cilët thuhet se janë nën kontroll të plotë të presidentit Thaçi, por gjithçka pritet të sqarohet pas kthimit të Kadri Veselit nga Britania e Madhe, ku po qëndron në një vizitë zyrtare.                                                              

Gazeta “Zëri” ka provuar të marrë konfirmime zyrtare nga PDK-ja dhe nga Qeveria në lidhje me dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur të hënën.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë që dorëheqja e ministrave të qeverisë “Haradinaj” po ndodh si pasojë e moskoordinimit të koalicionit qeverisës. Madje sipas tyre nëse kjo situatë vazhdon ditët e qeverisë “Haradinaj” janë të numëruara.

Beqa: Koalicioni PAN është i qëndrueshëm dhe funksional

I vetmi zyrtar që ka folur për këtë çështje nga Partia Demokratike e Kosovës është deputeti Hajdar Beqa, i cili për “Zërin” ka thënë që koalicioni PAN është duke funksionuar normalisht dhe pa probleme.

“Për momentin koalicioni PAN po funksionon dhe nuk ka ndonjë problem që mund të flitet për lëkundje të koalicionit, por asgjë në politikë nuk është absolute. Konsideroj që koalicioni është i qëndrueshëm dhe është duke funksionuar, po ashtu ka një bashkëpunim të mirë edhe mes subjekteve politike. PDK-ja e ka luajtur dhe do ta luajë rolin koordinues si parti kryesore në koalicion qeverisës”, ka thënë Beqa.

Ndërsa lidhur me mundësinë e dorëheqjes së ministrit Tahiri, siç është raportuar në medie, deputeti Beqa ka thënë që nuk ka informacione për një gjë të tillë.

“Nuk kam ndonjë informatë, për dorëheqjen e Tahirit jam informuar prej portaleve, por mua më ka rastisur të bashkëpunoj me Tahirin dhe mendoj që është njëri prej ministrave që ka performancën më të mirë në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe ka bërë një punë të mirë sidomos në reformën e agjendës së drejtësisë së Kosovës. Nuk kam informata të tjera”, ka theksuar ai.

Kurteshi: Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi ka thënë që problemi kyç i qeverisë “Haradinaj” është mungesa e numrave për të kaluar ligje të rëndësishme të vendit. Sipas Kurteshit, situata e krijuar po ofron mundësi të vetërrëzimit të qeverisë “Haradinaj”.

“Problemi i qeverisë ‘Haradinaj’ nuk është dorëheqja e një ministri, por mungesa e numrave në Kuvend dhe për këtë arsye ne duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Kurteshi për “Zërin”.

Më tej deputeti i Vetëvendosjes konsideron që dorëheqja e ministrave është një arsye tjetër se pse vendi duhet të shkojë në zgjedhje. “Qeveria është në krizë për shumë arsye e edhe dorëheqja e ministrave është njëra nga arsyet”, ka thënë ai.

Pantina: Koalicioni qeverisës ka probleme

Kurse deputetja e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, për “Zërin” ka thënë që koalicioni qeverisës ka probleme në mes vete, mirëpo sipas saj nuk dihet nëse kjo gjë do të rezultojë me rrëzim të qeverisë “Haradinaj”.

“Fillimisht kjo Qeveri është e madhe dhe ka shumë ministra dhe normalisht do të duhej të zvogëlohej numri i ministrive e ky zvogëlim nuk do ta dëmtonte funksionimin e Qeverisë, por ajo që është edhe më e panevojshme është numri i zëvendësministrave. Ne nuk e dimë se çka po ndodh brenda koalicionit qeverisës, duket se ka mosmarrëveshje në mes tyre dhe nëse kjo do të rezultojë me rrëzimin e Qeverisë ose jo pritet të shihet në vazhdim”, ka thënë ajo.

Pantina po ashtu ka thënë që Kuvendi i Kosovës është jofunksional për faj pikërisht të koalicionit qeverisës.

“Një gjë është e sigurt, që Kuvendi nuk është duke funksionuar dhe është java e tretë që ne nuk jemi thirrur në seancë, janë një varg ligjesh që nuk po kalojnë. Kjo nuk është vetëm për fajin e një pjese të opozitës, por për fajin e koalicionit qeverisës, gjegjësisht të kryetarit të Kuvendit që nuk po e thërret mbledhjen”, ka thënë ajo.

Ndërsa e pyetur nëse PSD-ja do ta përkrahë mocionin për rrëzimin, Pantina ka thënë që për këtë çështje partia e saj tashmë e ka dhënë qëndrimin pasi i ka dorëzuar nënshkrimet e veta.

Murati: Qeveria “Haradinaj” nuk ka forcë për të vazhduar mandatin

E Artan Murati, nga KDI-ja, ka thënë që qeveria “Haradinaj” nuk ka forcë për të vazhduar më tutje. Murati ka thënë se koalicioni qeverisës nuk i ka numrat për të kaluar asnjë ligj.

“Qeveria ‘Haradinaj’ nuk ka as kontinuitet e as forcë për të çuar më tutje mandatin e vet deri në fund dhe për këtë gjë pajtohemi të gjithë, mirëpo edhe për ta rrëzuar Qeverinë duhet nënshkrime në Kuvend, të cilat as opozita nuk i ka, kësisoj ose duhet të pritet ndonjë plasaritje mes koalicionit qeverisës, ose ndonjëra prej partive në koalicion që do të dalë në krahun e opozitës dhe ta rrëzojë Qeverinë”, ka thënë Murati.
Sipas Muratit, Qeveria nuk i ka numrat as për të kaluar ligjet më të thjeshta në Kuvend.

“Jemi duke e parë që kjo Qeveri nuk i ka numrat e mjaftueshëm në Kuvend për ta kaluar asnjë ligj më të thjeshtin e lëre më për të shtyrë përpara një agjendë politike, por këto telashe munden të shpërfaqen në qeverisje në qoftë se ka moskoordinim në mes të partnerëve të koalicionit, atëherë mundet të sjellë deri në telashe, të cilat sipas praktikës së mëhershme kanë rezultuar me zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Murati për “Zërin”.

Ndërkohë, duke folur për mundësinë e dorëheqjes së ministrit të Drejtësisë Ableard Tahirit, hulumtuesi i KDI-së ka thënë që kjo gjë mund të ndodhë si pasojë e problemeve që ka koalicioni PAN.