Partitë po i fshehin raportet financiare, po u ndihmon edhe KQZ-ja e Kuvendi

Aktuale October 01, 2018 - 11:55
Lexo detajet

Anëtari i Institutit Demokratik të Kosovës, Albert Krasniqi përmes një postimi në “Facebook”, ka deklaruar se partitë politike në vend tashmë e katër vite po i fshehin raportet e tyre financiare, raporton “Zëri.info”.

Sipas tij kjo paraqet shkelje të ligjit dhe me mos publikimin e tyre ata po i shmangen ligjit dhe obligimeve që kanë.

Ky është reagimi i plotë i tij:

Paritë politike për katër vite i fshehën raportet e tyre financiare dhe penguan auditimin e financave, duke keq interpretuar ligjin dhe duke buxhetuar më pak para sesa vlera e tregut për auditim. Presioni, kryesisht ndërkombëtar, e bëri të vetën dhe raportet u publikuan deri në vitin 2016. Për të evituar keqinterpretimet, Ligji për Financim të Subjekteve Politike është në procedurë të ndryshimit në Qeveri, për të cilin u morr edhe opinioni i Komisionit të Venecias.

Ligji në fuqi, përkundër që parasheh mjaftë qartë obligimet e partive politike në raport me transparencën financiare, ato me ndihmën e KQZ-së dhe të Kuvendit, po iu shmangen obligimeve që kanë.

Deri më sot, këto janë afatet që janë shkelur dhe raportet të cilat nuk janë publikuar:

- Nuk është kryer auditimi i Raporteve Vjetore Financiare për vitin 2017 (afati i paraparë ka qenë më 15 qershor 2018);

- Nuk janë publikuar Raportet e auditimit për vitin 2017 (afati i paraparë ka qenë më 30 qershor 2018);

- Nuk janë publikuar Raportet Vjetore Financiare për vitin 2017 (afati i paraparë ka qenë më 30 korrik 2018);

- Nuk janë publikuar shpenzimet e fushatës për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës (afati i paraparë ka qenë më 22 dhjetor 2017);

- Nuk janë publikuar shpenzimet e fushatë për zgjedhjet lokale (afati i paraparë ka qenë më 22 prill 2018).