Vuniqi: Askujt të mos i prishet qejfi që Pacolli shtrëngoi duart me presidentin e SHBA-së

Aktuale September 27, 2018 - 16:07
Lexoni më shumë detaje

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Rejhan Vuniqi, ka thënë se askujt nuk duhet t’i prishet qejfi që shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, ka shtrënguar duart me presidentin amerikan Donald Trump në Nju Jork.

Këto komente numri dy i Ministrisë së Jashtme të Kosovës i ka bërë duke e komentuar videon e shumë përfolur për përshëndetjen e Pacollit me presidentin Trump në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Unë mendoj që kur është në pyetje interesi kombëtar i shtetit të Kosovës dhe i shtetasve të saj, duhet të lëvizen të gjithë gurët, duhet të gjinden të gjitha mënyrat e krijimit, ndërtimit dhe ruajtjes së raporteve. Madje duhet të shtrëngohen duart me secilin burrështetas të botës, sepse Kosova ka nevojë për miq. E unë nuk besoj që dikujt i prishet qejfi që në këtë rast zëvendëskryeministri Pacolli i ka shtrënguar duart me presidentin amerikan, shteti i të cilit është garant i ekzistencës së Kosovës”, ka thënë zëvendësministrja Vuniqi për "Zërin".

Ajo ka komentuar edhe deklaratat e sotme të ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, se Omani, Uganda dhe Esotho, i cili ka thënë se nuk kanë njohur kurrë pavarësinë e Kosovës.

“Nuk ka rëndësi se çka thotë Daçiq, Vuçiq apo cilido akter nga Serbia. Nuk ka pasur rëndësi as atëherë kur me fjalë e me vepra janë munduar që të shfarosin popullin tonë dhe as atëherë kur e kemi shpallur pavarësinë. Ne i kemi punët tona, obligimet tona dhe angazhimet tona të cilat fare nuk ndërlidhen me deklarata të nervozuara të politikanëve të Beogradit”, ka thënë Vuniqi.

“Republika e Kosovës, konkretisht ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka ndërtuar një sistem të tillë që nënkupton bashkërendimin e aktiviteteve dhe kontakteve me secilin shtet që e ka njohur shtetin tonë dhe njëkohësisht duke kultivuar raportet me shtetet që ende nuk e kanë ndërmarrë hapin e njohjes”.

Në lidhje me pohimin e Daçiq se ka lënë takime me përfaqësuesit e 84 shteteve sa po qëndron në Neë York , për të lobuar kundër pavarësisë së Kosovës, ajo ka thënë se janë vetëm kinse ofensivë.

“Kapacitetet e Pacollit tejkalojnë gjithë aparatin shtetëror politik dhe diplomatik të Republikës së Serbisë, prandaj mund ta vëreni edhe tendencën e Beogradit për të ndërmarrë gjoja ofensiva kundër Kosovës”.

“Asnjë përpjekje e tyre nuk mund të sfidojë suksesin e institucioneve të shtetit tonë dhe për këtë duhet të jenë të gjithë të qartë. Vetëm në Nju Jork janë zhvilluar deri më tani më shumë se 50 takime nga zëvendëskryeministri Pacolli dhe deri në fund javë priten rezultate edhe më të mëdha të cilat do të preken gjatë muajit nëntor kur Kosova do të marrë aprovimin për të qenë anëtar i INTERPOLIT, organizatë kjo e një rëndësie jetike në sigurinë e brendshme dhe ndërkombëtare”. /Zëri/