Hoxha: Austria përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën

Aktuale September 27, 2018 - 15:05
Lexoni më shumë detaje

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka pritur sot në takim Ministrin e Austrisë, Gernot Blümel raporton “Zeri.info”.

Me këtë rast ministrja Hoxha theksoi se në këtë takim mori përkrahjen e shtetit austriak për çështjen e liberalizimit të vizave por edhe për të gjitha proceset tjera integruese të Kosovës.

“Është një nder i madh të jemi këtu dhe të kemi mundësinë të bashkëbisedojmë së bashku me ministrin për tema të interesit të përbashkët. Austria është njëri ndër partnerët më të fuqishëm të Kosovës në të gjitha sferat e tjera e veçanërisht në integrimin e Kosovës. Unë mora përkrahje nga ministri Austriak për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën nga ana e Austrisë por edhe për të gjitha proceset tjera në përgjithësi”, tha Hoxha në një konferencë për media pas këtij takimi.

Hoxha konsideron se përkrahja e shtetit austriak është jetësore për Kosovën, sidomos në aspektin integrues të Kosovës.

“Për ne përkrahja e Austrisë është shumë e rëndësishme. Kam kërkuar nga ministri që përkrahja e tyre të vazhdoj deri në përfundimin e liberalizimit të vizave pasi që kemi edhe hapin e fundit drejt këtij procesi. Prandaj edhe përkrahja e Austrisë për Kosovën në këtë rrugë është shumë e rëndësishme”, tha mes tjerash ajo.

Ndërsa Ministri Blumer tha se mbështetja e Austrisë ndaj Kosovës do të mbetet e njëjtë, pavarësisht se kjo e fundit ka ende punë para vetes./ZERI