Mustafa dhe Kurti bashkohen kundër Thaçit dhe Haradinajt

Aktuale September 27, 2018 - 08:32
Lexoni më shumë detaje
Image

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti kanë filluar të punojnë për thellimin e bashkëpunimit opozitar kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve me Serbinë, si dhe kundër qeverisë “Haradinaj”, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Përfaqësuesit e LDK-së dhe të Vetëvendosjes thonë se takimi i krerëve të opozitës para dy ditësh ishte në shërbim të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet këtyre partive për rrëzimin e Qeverisë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të ketë bashkëpunim edhe sa u përket protestave kundër Thaçit. 

LEXO EDHE: Turpi diplomatik në SHBA

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, e ka pohuar se ka një sinkronizim të veprimeve mes LDK-së dhe LVV-së për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”, shkruan më tutje "Zëri".

“Ne jemi duke u dakorduar edhe për veprime të tjera dhe në këtë kuptim ishte edhe takimi i dy liderëve politikë, të cilët janë dakorduar që t’i harmonizojnë aktivitetet politike, veprimet politike qoftë në Kuvendin e Kosovës dhe mekanizmat e tjerë, qoftë në opinionin publik e që në të vërtetë të mobilizohemi që sa më shpejt kësaj qeverie t’ia tregojmë vendin, kjo nënkupton që ne jemi duke u përgatitur që përmes një mocioni të mundshëm edhe me partnerë të tjerë ta rrëzojmë këtë qeveri”, ka thënë ai.

Rugova ka treguar se janë duke u konsultuar për marrjen e disa hapave politikë për ta dërguar vendin në zgjedhje.

“Ne jemi duke pritur momentin e përshtatshëm, sepse për ta rrëzuar një qeveri duhen 61 deputetë dhe aktualisht jemi 58 deputetë dhe jemi duke u konsultuar, duke marrë hapa të caktuar politikë dhe juridikë, që edhe me partnerë të tjerë të gjejmë mundësinë e parë dhe që është edhe qëndrim zyrtar i LDK-së të shkojmë në zgjedhje të reja dhe institucionet e Kosovës të fitojnë legjitimitet të ri për t’u prirë proceseve të rëndësishme për vendin”, ka shtuar ai.

Kurse deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Drita Millaku, ka folur për kundërshtimin ndaj idesë së presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim” të kufijve me Serbinë.

“Protesta nuk është vetëm me anëtarë të LVV-së, protesta do të jetë gjithëpopullore. Kanosja që po i bëhet vendit tonë duhet të jetë shqetësuese për të gjithë, andaj kemi kërkuar të bëjmë protestën më datën 29 shtator. Deputetët e të gjitha partive pa dallim, të shoqëritë civile dhe secili qytetar i cili e kupton që jemi në rrezik për shkak të vendimeve të një njeriu siç është Thaçi duhet të dalin në protestë. Në tubimet që po organizohen me qytetarë kemi vërejtur një përkrahje të madhe të anëtarësisë së LDK-së, andaj ky është edhe një mesazh për krerët e LDK-së”, ka shtuar ajo.

Millaku ka thënë se Vetëvendosja është duke punuar edhe në rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”.

“Kjo qeveri ia ka zgjatur jetën Hashim Thaçit dhe PDK-së. Ia dhanë Demarkacionin Malit të Zi, tani po e lejojnë Thaçin të bëjë pazare me Serbinë pa e pyetur askënd, prandaj LVV-ja çdo ditë është duke punuar për ta rrezuar këtë qeveri dhe ne jemi duke u koordinuar me LDK-në për hapat e mëtutjeshëm të rrëzimit të kësaj qeverie. Për çdo risi do të dalim me konferencë dhe do t’ju njoftojmë”, ka shtuar ajo.

Në anën tjetër, paralajmërimin për mocion për rrëzim të qeverisë “Haradinaj” nga LDK-ja dhe LVV-ja e kanë konsideruar si joserioz deputetët e PSD-së.

Salih Salihu, deputet nga kjo parti, në një prononcim dhënë “Zërit” ka thënë se është problem që të koordinohen punët me LDK-në dhe LVV-në, pasi që, sipas tij, këto dy subjekte po lënë përshtypje që nuk janë të interesuara që ta rrëzojnë Qeverinë.

Salihu ka treguar se PSD-ja do t’i japë votat e saj atëherë kur të jenë siguruar numrat e tjerë.

Ndërkohë analisti politik Haki Abazi, në një prononcim dhënë gazetës “Zëri”, ka thënë se është detyrë e subjekteve opozitare që të bëjnë gjithçka për të dërguar vendin në zgjedhje të reja në mënyrë demokratike.

Ai ka shtuar se qeveria “Haradinaj” është duke e dëmtuar vendin, andaj edhe siç ka thënë ai sa më shpejt që të largohet kjo qeveri vendit do t’i kthehet kushtetutshmëria.

“Kemi një qeveri e cila nuk e ka shumicën dhe varet nga Lista Serbe. Sjellja e Qeverisë është dëmtuese për vendin dhe sa më shpejt që largohet kjo qeverisje dhe krijohet hapësira për t’iu kthyer kushtetutshmëria vendit dhe për t’iu kthyer funksionaliteti me llogaridhënie dhe transparencë e shpëton seriozitetin e shtetit të Kosovës, që është shumë i domosdoshëm në këtë fazë edhe në rajon, edhe në botë”, ka thënë ai.

Abazi ka vlerësuar se tani është duke u rrezikuar kushtetutshmëria dhe integriteti territorial i shtetit, andaj edhe sipas tij nuk do të përjashtohen as protestat.

“LDK-ja gjithmonë ka qenë njëra prej partive me rëndësi të madhe në mbrojtjen e institucioneve dhe të Kushtetutës së vendit. Sigurisht me Vetëvendosjen bashkë kjo është më e lehtë. Bashkë të bëhet një bashkim i forcave për ta kthyer kushtetutshmërinë në vend”, ka theksuar ai.