Haradinaj kërkon votën për INTERPOL nga kryeministri i Andorras

Aktuale September 26, 2018 - 23:31
Lexoni më shumë detaje

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës zyrtare në ShBA, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Andorra-s, Antoni Martí Petit.

Në këtë takim, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar kryeministrin Petit, për zhvillimet politike dhe ekonomike në Republikën e Kosovës, duke thënë se Qeveria e Kosovës me përkushtim është duke punuar në rritjen e zhvillimit ekonomik, bashkëpunimet rajonale dhe integrimet euroatlantike, që do t’i hapnin rrugë anëtarësimit të saj në BE, NATO dhe OKB.

“Jemi duke punuar në krijimin e një klime sa më të favorshme biznesore në Republikën e Kosovës, kemi krijuar zona të lira ekonomike për lehtësimin e zhvillimit të veprimtarisë ekonomike dhe të ndërmarrësisë në Kosovë”, tha Haradinaj, duke kërkuar nga kryeministri Petit rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fusha të interesit të përbashkët.

Më tej, kryeministri Haradinaj ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka krijuar stabilitet politik në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa tani po punojmë me partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë në fuqizimin e shtetësisë përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë, anëtarësimin në INTERPOL.

Kryeministri i Andorra-s, Antoni Martí Petit, ka përgëzuar kryeministrin Haradinaj për të arriturat e Kosovës në të gjitha fushat, duke thënë se Andorra do të jetë mbështetëse e saj në rrugën e integrimeve dhe në fuqizimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar.