Haradinaj: SHBA-të kanë rol të pazëvendësueshëm në rrugën euro-atlantike të vendit

Aktuale September 26, 2018 - 09:12
Lexo detajet

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot bashkë me Presidentin Hashim Thaçi kanë takuar Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell, me të cilin biseduan për aktualitetin politik në Kosovë dhe rajon. 

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar z. Mitchell për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, për progresin e Kosovës në përmbushjen e reformave të gjithanshme në rrugën eurointegruese dhe euroatlantike dhe për hapat që kanë ndërmarrë institucionet e vendit për të krijuar një klimë të favorshme për të investuar në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj ka falënderuar z. Mitchell për kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës dhe në shumë fusha tjera me rëndësi, me theks zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit, thuhet në njoftim.

“Miqësia dhe partneriteti strategjik me ShBA-të janë të pazëvendësueshme. Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike dhe për këtë roli i ShBA-ve, është i rëndësisë së veçantë”, tha kryeministri Haradinaj, duke kërkuar mbështetjen amerikane në procesin e transformimit të FSK-së në Ushtri, transmeton lajmi.net.

Në takim, është biseduar edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin kryeministri Haradinaj tha se Kosova është për dialog dhe për përmbylljen e këtij procesi përmes arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht obliguese për të dyja vendet dhe me njohje reciproke.

Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell, tha se Kosova do ta ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe më tutje, në forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, në arsim dhe në rrugën e saj euroatlantike. 

 Pjesë e këtij takimi ishte edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministër i Jashtëm Behgjet Pacolli dhe Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku.