Ushtarët amerikanë e presin Haradinajn si hero, me duartrokitje e brohoritma

Aktuale September 25, 2018 - 20:49
Lexo detajet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës zyrtare që është duke e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është pritur në Akademinë Ushtarake “West Point” nga Gjeneral Lejtnant Darryl A. Williams me bashkëpunëtorë.

Kryeministrit Haradinaj iu bë një pritje e jashtëzakonshme nga mijëra ushtarak dhe kadet të ushtrisë Amerikane në akademinë prestigjioze “West Point”.

Ata u ngritën në këmbë dhe me duartrokitjeje e brohoritma e priten kryeministrin kosovar.

Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj, falënderoi Gjeneralin Williams për pritjen dhe për ndihmën që është duke e dhënë kjo Akademi për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përmes ofrimit të studimeve për kadetët kosovarë, e që aktualisht këtë Akademi janë duke u shkolluar dy kadetë të FSK-së, Arnela Shala dhe Ylli Dalladaku.

“Vendi ynë është falënderues për gjithë kontributin që ka dhënë Amerika, si në kohë lufte po ashtu edhe paqeje. Jemi përherë mirënjohës që i kemi aleat të fuqishëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Kryeministri Haradinaj.

Ndër të tjerash, Kryeministri Haradinaj, duke folur para përfaqësuesve të “West Point Academy”, për transformimin e FSK-së në ushtri, tha se Kosova është e gatshme që ta ketë ushtrinë, e cila do t’i kontribuonte paqes dhe sigurisë në vend dhe më gjerë.

Gjeneral Lejtnant Darryl A. Williams, pasi falënderoi Kryeministrin Haradinaj për vizitën, tha se Kosova do ta ketë mbështetjen e parezervë të këtij institucioni përmes ofrimit të trajnimeve dhe studimeve ushtarake për pjesëtarët e FSK-së.

Nga Gjenerali Williams, Kryeministri Haradinaj ka pranuar një dhuratë me simbolet e Akademisë Ushtarake “West Point”, ndërsa kryeministri Haradinaj e ka nderuar Gjeneralin Williams me medaljen e Skënderbeut.Në Akademinë Ushtarake “West Point” ishte e pranishme edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.