Trajkoviq ‘godet’ ashpër Vuçiqin: Politika e tij është vazhdimësi e asaj të Millosheviqit

Aktuale September 25, 2018 - 15:57
Lexo tjera detaje

Ish-deputetja serbe në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkoviq e ka goditur ashpër presidenin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, për fjalimin e këtij të fundit të mbajtur në Kosovë, ku ndër të tjera u përmend edhe ish-diktatori jugosllav, Sllobodan Milosheviq.

Ndër të tjera, Trajkoviq tha se deklarata e Vuçiq nuk mund të jetë e rastësishme, ngase sipas saj edhe vetë politika e presidentin serb është vazhdimësi e asaj të Millosheviqit, transmeton lajmi.net.

“Politika e ndarjes etnike është një katastrofë. Më duhet ta them haptazi, nuk qe një rastësi që Vuçiq e përmendi edhe Millosheviqin në fjalimin e tij, sepse strategjia e tij e shpalosur në Kosovë është vazhdimësi e politikës së vetë Millosheviqit”, ka thënë Trajkoviq.

Sipas saj, pas shpalosjes së planit të Vuçiqit në Kosovë, Serbët këtu tani kanë më pak besim, ngase siç thotë ajo situata është e njëjtë me shqiptarët e Luginës.

“Tani kur serbët e panë atë tek vije me një strategji të re, kanë më pak besim në atë. Situata është e njëjtë me shqiptarët e Jugut, të cilët nuk dijnë nëse do të hyjnë në proces të krijimit të këshilleve apo jo”, ka thënë Trajkoviq.

Kujtojmë se aktualisht Trajkoviq është kryetare e Lëvizjes Europiane të Serbëve nga Kosova.