Thaçi kërkon mbështetjen e OBI-t për shtimin e numrit të njohjeve

Aktuale September 25, 2018 - 13:58
Lexo tjera detaje

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrin e parë, Behgjet Pacolli kanë zhvilluar një takim me sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI), Yousef bin Ahmad Al-Othaimeen.

Në këtë takim është biseduar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe 57 shteteve anëtare të kësaj organizate.

Presidenti Thaçi ka kërkuar nga sekretari Al-Othaimeen mbështetjen e OBI-t në procesin e shtimit të njohjes për Republikën e Kosovës, për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe organizata tjera ndërkombëtare.

“OBI edhe në të kaluarën ka mbështetur Republikën e Kosovës në shtimin e njohjes dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Presim vazhdimin e mbështetjes tuaj”, ka thënë presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI), Yousef bin Ahmad Al-Othaimeen ka thënë se kjo organizatë do të vazhdojë mbështetjen e gjithëmbarshme për Kosovën.