Tahiri: Viti 2020 do të jetë vit i përmirësimit të sistemit të drejtësisë

Aktuale September 25, 2018 - 12:19
Lexoni më shumë detaje

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi, dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj, në një konferencë për media, kanë prezantuar planin e përbashkët “Drejtësia 2020” ku u zotuan që deri në vitin 2020 do të ketë drejtësi të mirëfilltë në Kosovë raporton “Zeri.info”.

Ministri Tahiri me këtë rast tha se së bashku me instancat tjera të drejtësisë janë dakorduar që viti 2020 të jetë data kur Kosova të ketë një sistem të drejtësisë të drejtë dhe të besueshëm

”Si institucione përgjegjëse të drejtësisë kemi vendosur bashkërisht një agjendë të përbashkët e cila do të sjell fundin e tranzicionit në sistemin e drejtësisë dhe padyshim që do të nxis progresin e tij. Kjo do të mundësoj një rikthim të plotë të besimit në sistemin e drejtësisë që do të ndikoj në përditshmërinë e qytetarëve tanë. Kjo agjendë është “Drejtësia 2020” jemi përcaktuar që ky vit të jetë viti kur nuk do të fliten për temat e njëjta dhe do të ketë efikasitet i plotë”, ka thënë Tahiri, raporton “Zeri.info”

Sipas tij viti 2020 do të jetë viti kur sistemi drejtësisë do të jetë sistem i përgjegjshëm dhe llogaridhënës.

Ndërsa kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi tha se e mbështet programin “Agjenda e drejtësisë 2020”, dhe kjo gjë tregon përkushtimin e organeve të drejtësisë drejt një sistemi të mirëfilltë të drejtësisë.

”Në emër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës shpreh mbështetjen e pa lëkundur për agjendën drejtësisë 2020. Nënshkrimi i kësaj deklarate shënon përkushtimin e plotë për një shtet të qëndrueshëm dhe efikasitet”, tha ai.

Kurse Blerim Isufaj, kryesues i Këshillit Prokurorial, tha se kjo përbërje tregon përkushtimin e shtetit të Kosovës për sundimin e ligjit dhe identifikimin e nevojave që janë në Kosovë në fushën e drejtësisë.

Në këtë ngjarje morën pjesë dhe ambasadori amerikan, Greg Delawie; ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruari O’Conoll; si dhe Cezary Michalczuck, shef i Sektorit të Sundimit të Ligjit në Zyrën e BE-së në Kosovë./ZERI