Vetëvendosja vazhdon mobilizimin për protestën e së shtunës

Aktuale September 25, 2018 - 08:15
Mësoni më shumë detaje
Image

Lëvizja Vetëvendosje është duke vazhduar mobilizimin për protestën kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për “korrigjimin e kufijve” me Serbinë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Partia e Albin Kurtit po i vazhdon takimet me qytetarë në përpjekje për të siguruar pjesëmarrje sa më masive në protestën me moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, e cila do të mbahet të shtunën në kryeqytet, me fillim nga ora 14:00. Të hënën Vetëvendosja ka publikuar edhe orarin e nisjes së organizuar të autobusëve që do të sjellin protestuesit nga qytetet e tjera.

Përfaqësuesit e kësaj partie politike thonë se presin mbështetje edhe nga zyrtarë të subjekteve të tjera.

LEXO EDHE: Delegacioni për Vizat, sot në Kosovë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbrie Nagavci, në një prononcim për gazetën Zëri ka thënë se ndonëse subjektet opozitare dhe ato në pushtet nuk po përkrahin protestën e së shtunës, zyrtarë nga ato subjekte kanë konfirmuar se do të jenë të pranishëm në këtë protestë.

“I kemi disa konfirmime të deputetëve për protestë, kemi pasur edhe thirrje publike të deputetëve si Vjosa Osmani, që kanë paraqitur qëndrimin se protestat janë e vetmja zgjidhje në këtë moment. Po ashtu deputeti Korab Sejdiu ka thënë publikisht që janë në përkrahje të protestës. Kemi shpresë që do të kemi edhe anëtarë të subjekteve të ndryshme politike, që tashmë kanë konfirmuar që do të jenë të pranishëm, por gjithsesi edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë”, ka thënë ajo.

E pyetur se nëse ka deputetë nga LDK-ja dhe PSD-ja që kanë shprehur gatishmërinë për pjesëmarrjen në këtë protestë, ajo e ka konfirmuar një gjë të tillë, duke thënë se beson që së shpejti vetë deputetët e subjekteve tjera ta bëjnë publike pjesëmarrjen e tyre.

Nagavci më tej ka thënë se protesta e cila do të mbahet këtë të shtunë pritet të jetë masive.

“Protesta tashmë duket se do të jetë masive. Shumë qytetarë në tubimet që po i mbajmë gjatë këtyre ditëve janë përkrahës të protestës dhe kanë shprehur gatishmërinë për pjesëmarrje. Është e rëndësishme që protesta të jetë masive, të ketë numër të madh të qytetarëve dhe të përcillet mesazhi për Thaçin dhe për të gjithë ata që janë të përfshirë në procesin që populli nuk e përkrah”, ka shtuar ajo.

Disa deputetë të LDK-së mbështesin protestat

Deputeti i pavarur Korab Sejdiu në rrjetin e tij social “Facebook” ka bërë të ditur se ai do të jetë pjesë e protestës së thirrur nga Vetëvendosja.

Ai ka bërë thirrje që protesta të jetë paqësore.

“Kohë më parë kam bërë thirrje publike për organizim të protestave paqësore si mjet për mbrojtjen e vendit nga shkatërrimi. Të gjithë kemi përgjegjësi që të revoltohemi ndaj komplotit të planifikuar nga disa kriminelë pushtetarë për shkatërrimin e Republikës. Të gjithë ne qytetarë, politikanë, shoqëri civile, studentë, pensionistë, profesionistë, diasporë e njerëz të pavarur jemi të obliguar t’i dalim në mbështetje çdo nisme të njerëzve të vullnetit të mirë kundër këtij skenari të kobshëm, duke përfshirë edhe këtë protestë”, ka thënë ai.

Sipas Sejdiut, i vetmi institucion kushtetues i mbetur në dispozicion është protesta.              

Për më shumë, të gatshëm për protesta në kundërshtim të diskutimeve për kufijtë e Kosovës ishin shprehur edhe deputetët e LDK-së, Haxhi Avdyli e Vjosa Osmani.

Qëndrimet e disa deputetëve të LDK-së në lidhje me përkrahjen e protestës së Vetëvendosjes nuk i ka kundërshtuar as Kryesia e kësaj partie.                                      

Megjithatë, sipas Kryesisë së LDK-së, kjo parti nuk do t’i bashkohet protestës.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veli, pas mbledhjes së kësaj partie ditën e djeshme ka thënë për medie se ndonëse nuk janë kundër vullnetit të qytetarëve LDK-ja nuk do të përkrahë këtë protestë.

“LDK-ja nuk është kundër shprehjes së vullnetit të qytetarëve qoftë edhe përmes protestave, mirëpo ne si Kryesi nuk e kemi vlerësuar se është momenti i duhur që ne ta thërrasim anëtarësinë e LDK-së për protesta për arsye se mendojmë që na kanë mbetur ende edhe dy-tri veprime që duhet t’i bëjmë brenda institucioneve dhe pastaj për neve është hapi i fundit protesta, të cilën nuk e përjashtojmë. Nuk do t’i përgjigjemi ftesës së Vetëvendosjes, sepse ne kur vendosim do të thërrasim protestë dhe do ta organizojmë atë vetë”, ka thënë ai.

Shala: Nisma kundër protestës, do ta ndalim ndryshe presidentin

Deputetët e partisë Nisma Socialdemokrate vazhdojnë të kundërshtojnë idenë e presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve, megjithatë kundërshtimin e tyre ata kanë vendosur ta tregojnë në forma tjera dhe jo me protesta.

Deputeti nga radhët e kësaj partie, Haxhi Shala, në një prononcim për gazetën ka thënë se nuk do të përkrahin protestat e partive politike në lidhje me këtë çështje.

“Ne nuk përkrahim protesta të partive politike, sepse nuk kemi asnjë marrëveshje me partitë politike që protestojnë. Ne kemi një qasje tjetër të ndaljes së këtij avazi të presidentit për korrigjim të kufijve. Qeveria ka caktuar liderin tonë që të jetë udhëheqës i delegacionit për bisedime”, ka thënë ai.

Sipas tij, Nisma nuk ka arsye të mbështesë partitë politike të cilat mendojnë ndryshe.

“Çdo deputet mund të deklarohet për pozicionin e tij, por nuk besoj që do të ketë ndonjë deputet të Nismës që do ta mbështesë protestën e një partie tjetër opozitare, sepse nuk po shoh një kauzë për të protestuar”, ka thënë ai.

Abazi: LDK-ja ka lënë të hapur mundësinë e protestave, PSD-ja s’ka peshë

Analisti politik Haki Abazi në një prononcim për “Zërin” ka thënë se është e domosdoshme që qytetarët të deklarohen kundër vazhdimit të dialogut nga presidenti Thaçi.

“Unë mendoj që me zgjedhjen jokushtetuese të presidentit, duke i anashkaluar të gjitha institucionet e vendit, si dhe ligjet, është bërë e domosdoshme që qytetarët të tregojnë se nuk janë në përkrahje të një forme të tillë të veprimit dhe që presidenti nuk ka mandat të diskutojë me Serbinë, sepse as Parlamenti dhe as Kushtetuta nuk ia jep atë të drejtë. Është e domosdoshme që në këtë kohë të konfuzionit që po e dërgon presidenti i vendit te bashkësia ndërkombëtare bëhet e qartë se qytetarët nuk janë në përkrahje të asaj çfarë është duke bërë presidenti”, ka thënë ai.

Abazi ka komentuar edhe mospjesëmarrjen në protesta të partive opozitare LDK-së dhe PSD-së.

“Në rastin e LDK-së unë mendoj se individë të caktuar të nivelit të nënkryetarëve, si Lutfi Haziri, Haki Rugova dhe Agim Veliu, kanë deklaruar para se të marrë Kryesia e LDK-së qëndrim dhe në një formë e kanë sjellë edhe Grupin Parlamentar para një akti të kryer dhe për t’i ikur një përplasjeje të brendshme LDK-ja ka dalë me një deklaratë, që në një formë e kanë lënë të hapur mundësinë që në një fazë tjetër të jenë për protesta. PSD-ja nuk ka peshë politike në spektrin politik dhe nuk mendoj që ata munden të thirrin ose të mos thirrin protesta. Kapaciteti i tyre për të komunikuar me qytetarin është minimal”, ka përfunduar ai.