Delegacioni për Vizat, sot në Kosovë

Aktuale September 25, 2018 - 08:01
Lexoni më shumë detaje
Image

Sot dhe nesër në Kosovë do të qëndrojë Grupi Punues për Vizat (COWEB) i Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili ka për qëllim vëzhgimin nga afër të progresit të institucioneve kosovare në sundimin e ligjit dhe të çështjeve të tjera që lidhen me liberalizimin e vizave, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Sipas njohësve të integrimeve, kjo vizitë pritet që çështjen e vizave të Kosovës ta shtyjë edhe më përpara. Ndërsa pas kësaj faze çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të kalojë në instancën e dytë brenda Këshillit, COREPER (ambasadorët e përhershëm në Këshill të BE-së), për të kaluar pastaj për votim në Këshillin e Ministrave të shteteve anëtare të BE-së.

LEXO EDHE: Rrëzimi i Qeverisë, LDK-ja synon votat e Nismës

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, konsideron që vizita e Grupit Punues për Vizat në Kosovë është shumë e rëndësishme, pasi do të njoftohet për punën e institucioneve kosovare në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

“Vizita e Grupit Punues COWEB për Vizat është shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh fazën në të cilën ndodhet procesi i liberalizimit. Grupi Punues do të qëndrojë në Kosovë, me ç’rast do të njoftohet për së afërmi me punën e institucioneve tona dhe me reformat që janë ndërmarrë”, ka deklaruar Hoxha për Zërin.

Sipas saj, institucionet e Kosovës kanë përgatitur të gjitha materialet për ta njoftuar këtë Grupin Punues për Vizat rreth punëve që janë bërë.

Në anën tjetër, deputetja nga radhët e AAK-së Time Kadriaj, duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, është shprehur e bindur se Këshilli i Ministrave do të votojë pro liberalizimit, pasi ajo ka thënë se Kosova i ka përmbushur detyrat.

“Ju e dini që kanë mbetur disa procedura të domosdoshme nëpër të cilat çështja e vizave të Kosovës duhet të kalojë, por është e rëndësishme që është marrë rekomandimi pozitiv nga Parlamenti Evropian dhe tani kanë mbetur edhe dy faza. Kjo procedurë do të kalojë edhe në këshillin e Ministrave, ku besoj që edhe në Këshill do të kalojë, sepse Kosova e ka merituar qysh moti liberalizimin e vizave në raport me vendet e tjera të rajonit”, ka thënë Kadriaj.

Ndërsa e pyetur për një afat se kur pret që liberalizimi për qytetarët e Kosovës të ndodhë, Kadriaj është shprehur optimiste se një gjë e tillë do të ndodhë këtë vit.

Kurse anëtari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Ismajl Kurteshi, për “Zërin” ka thënë që pavarësisht se Qeveria e Kosovës nuk i ka kryer të gjitha detyrat e dhëna nga BE-ja, përsëri qytetarët e Kosovës e meritojnë lëvizjen e lirë.

“Qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave, kurse sa u përket institucioneve të Kosovës, janë ato të njëjtat që kanë qenë edhe më herët, ato nuk janë duke i respektuar në masën e duhur ligjet, por mendoj që qytetarëve të Kosovës duhet t’u mundësohet të dalin pa viza jashtë vendit”, ka thënë Kurteshi.

Ndërkohë Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, ka thënë për “Zërin” që kushti i fundit për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, që i është dhënë Kosovës, është kusht që asnjëherë nuk përfundon, por që sipas tij Kosova është në rrugë të mirë drejt liberalizimit.

“Kushti i fundit për liberalizim të vizave që ka qenë luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit, është kusht i cili nuk mund të konsiderohet asnjëherë kusht i përfunduar, mirëpo në bazë të vendimit të BE-së, pas shënjestrimit të rasteve që i kanë caktuar në bazë të asaj e kanë krijuar vlerësimin se sa është bërë në atë drejtim. Në përgjithësi ne nuk mund të themi që ka përfunduar lufta kundër korrupsionit dhe ky kriter është plotësuar, sepse ky është një kusht që do të vazhdojë gjithmonë”, ka thënë ai.

Demhasaj mes të tjerash ka thënë që qytetarët e Kosovës ka gjasë që në pranverë të vitit të ardhshëm të lëvizin pa viza.

“Nuk mund të përcaktohet koha se kur do të ndodhë liberalizimi, pasi që është vendim politik dhe takimi për këtë çështje mbahet në dhjetor, mirëpo një datë e mundshme mund të jetë pranvera e vitit 2019 si datë kur qytetarët e Kosovës mund të lëvizin përfundimisht pa viza”, ka theksuar ai.