Rrëzimi i Qeverisë, LDK-ja synon votat e Nismës
Me iniciativë të deputetëve të Nismës para një viti e gjysmë ishte rrëzuar qeveria “Mustafa”. Zyrtarët e LDK-së synojnë që nëpërmjet “xhokerit” të njëjtë ta rrëzojnë edhe qeverinë “Haradinaj”, pasi votat e opozitës nuk mjaftojnë për të kaluar mocioni i votëbesimit. Por deputetët e partisë së Fatmir Limajt mohojnë të kenë diskutuar për këtë çështje, shkruan sot Gazeta "Zëri"
Partia e ish-kryeministrit Isa Mustafa (LDK) është duke u koordinuar me partitë tjera opozitare për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” nëpërmjet mocionit të votëbesimit pasi, siç thonë ata, vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Por votat e opozitës nuk janë të mjaftueshme të kalojë mocioni në Kuvend, prandaj partia më e madhe opozitare po synon që t’i bindë edhe disa deputetë të koalicionit qeverisës, përkatësisht ata të Nismës që ta përkrahin iniciativën e tyre, shkruan më tutje "Zëri".
Qeveria e ish-kryeministrit të LDK-së Isa Mustafës, ishte rrëzuar pikërisht nga iniciativa e nisur në Kuvend nga deputetët e Nismës, prandaj zyrtarët e LDK-së po synojnë që nëpërmjet të njëjtit “xhoker” ta rrëzojnë edhe qeverinë “Haradinaj”.
Por deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, ka mohuar për “Zërin” se deputetët e tyre do ta përkrahin mocionin e LDK-së për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”, edhe pse nënkryetari i LDK-së Agim Veliu dje ka deklaruar se iniciativën e tyre do ta përkrahin edhe deputetë të pozitës, por pa dhënë detaje se për këtë bëhet fjalë.
“Është një dispononim i mirë i mekanizmave të LDK-së që të punojmë drejt rrëzimit të kësaj Qeverie sa më shpejt që është e mundur. Jemi vazhdimisht në konsultim me subjektet e tjera për të përgatitur mocionin dhe për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këto institucione nuk kanë legjitimitet politik e as Kushtetues për të udhëhequr me tema të mëdha për vendin”, ka thënë Agim Veliu, nënkryetar i LDK-së.
Iniciativën e LDK-së e ka përkrahur edhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të cilët në një prononcim për gazetën “Zëri” kanë thënë se janë të gatshëm për zgjedhje të parakohshme.
Ndërsa Partia Socialdemokrate (PSD) duke mos dashur të tregojë se a janë të gatshme për zgjedhje ose jo kanë ofruar votat e tyre për rrëzimin e Qeverisë.
“Partia Socialdemokrate ka kohë që i ka dorëzuar nënshkrimet përmes shefit të Grupit Parlamentar Dardan Sejdiut”, ka thënë shkurt për “Zërin” Natyra Kuçi, zëdhënëse e kësaj partie.
Ndërkaq njohës të çështjeve politike në vend kanë vlerësuar se tani është koha e favorshme që opozita të aktivizohet për t’i siguruar votat te pozita, pasi ka shumë pakënaqësi brenda deputetëve të Nismës dhe të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Kurteshi: E përkrahim mocionin, LDK-ja t’i sigurojë votat
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se kjo parti do ta përkrahë mocionin e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës atëherë kur LDK-ja do t’i ketë votat për mocion.
Mirëpo siç ka thënë ai, LDK-ja nuk i ka votat e mjaftueshme.
“Ne përkrahim rrëzimin e kësaj Qeverie, jemi pjesë e inicimit dhe jemi të gatshëm për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. LDK-së i dëshiroj sukses në iniciativën e tyre, por i nevojiten edhe disa vota nga deputetët e pozitës”, ka thënë ai.
Kurteshi ka theksuar se LDK-ja në mungesë të gatishmërisë që t’i bashkëngjitet protestës së thirrur nga Vetëvendosja kundër presidentit Thaçi po bën thirrje për mocion.
Baliqi: Të arrihet pajtimi për mocionin
Analisti politik Bekim Baliqi ka thënë për gazetën “Zëri” se LDK-ja duhet të përgatitet mirë për mocionin, duke i bindur edhe deputetët e pozitës që ta përkrahin, pasi nëse u dështon mocioni, atëherë nuk kanë të drejtë të njëjtin ta përsëritin për gjashtë muaj.
Sipas tij, paraprakisht duhet të arrihet konsensusi brenda opozitës për mocionin e votëbesimit.
“Në raport me çështjen e korrigjimit të kufijve ka pakënaqësi edhe brenda deputetëve të pozitës. Por, megjithatë paraprakisht duhet arritur konsensusin”, ka thënë Baliqi.
Ai ka shtuar se shkuarja në zgjedhje përcaktohet edhe nga zhvillimet aktuale politike në vend.
“Tash jemi në prag të temave të nxehta si: negociatat me Serbinë, liberalizimi i vizave, reformat e ndryshme. Pra nuk është një kohë ideale për të shkuar në zgjedhje, ndonëse edhe në kohën kur ishte rrëzuar nëpërmjet mocionit të votëbesimit kryeministri Isa Mustafa nuk ka qenë koha ideale për zgjedhje, por ato ndodhën”.
Tahiri: Zgjedhjet mund të sjellin një grup negociator legjitim
Edhe njohësi tjetër i çështjeve politike Ramush Tahiri thotë për “Zërin” se për të pasur sukses mocioni i LDK-së duhen siguruar votat e deputetëve të Nismës.
“Kjo është iniciativë legjitime, sepse edhe qeveria ‘Mustafa’ është rrëzuar në këtë mënyrë dhe LDK-ja ka të drejtë t’i bëjë nënshkrimet e nevojshme për mocion. Besoj që LDK-ja ka llogaritur që t’i ketë votat ose të Nismës, ose të PDK-së, sepse përndryshe nuk i ka 61 vota”, ka thënë ai.
Sipas tij, votat e nevojshme për mocionin mund të sigurohen vetëm nga thyerja e koalicionit qeverisës.
“Momentalisht Kosova është në një ‘pat pozicion’, sepse pa Listën Serbe asnjë palë nuk i bën 61 vota. Por nëse LDK-ja e nis procedurën dhe nëse votohet, atëherë Qeveria rrëzohet. LDK-ja këto 61 vota mund t’i gjejë te pozita, sidomos tani që ka kundërshtime ndërmjet AAK-së dhe PDK-së sa i përket nismës së presidentit për kufijtë”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se kjo është koha ideale për zgjedhje sepse Kosovës i nevojitet një grup negociator legjitim.